Deri më tani, në Zyrën për Regjistrimin e subjekteve politike në Komisionin Qendror Zgjedhor janë çertifikuar gjithsej 70 subjekte politike për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Drejtues të kësaj zyre kanë deklaruar për Radio Kosovën se të shtunën është afati i fundit kur partitë politike do të mund të përmirësojnë gabimet teknike në listat e tyre.

Shejfa e Zyrës për Regjistrim në KQZ, Miradije Mavriqi ka deklaruar se ky institucion zgjedhor është duke e kryer detyrën e tij brenda afatit ligjor. Ajo ka theksuar se tashmë janë në fazën finale të verifikimit të dokumentacionit dhe çertifikimit të subjekteve politike.

“Deri më tani janë çertifikuar 70 subjekte dhe kanë mbetur edhe 33 të tjera që janë në procesin e verifikimit të fundit të dokumentacionit”, ka thënë Mavriqi.

Ndërkohë, sa i përket mosçertifikimit të së ashtuquajturës lista unike serbe, “Srbija”, Mavriqi nuk ka dashur të bëjë komente. Ajo vetëm ka shtuar se dy subjekte politike janë tërhequr nga gara.

“4 shtatori ka qenë afati i fundit ligjor që subjektet politike të aplikojnë për regjistrim. Për çertifikim kanë aplikuar 105 subjekte, ndërkohë që dy që kanë aplikuar për çertifikim janë tërhequr menjëherë dhe kanë mbetur 103 subjekte”, ka sqaruar Mavriqi.

Por, edhe në këto zgjedhje, subjektet politike do të kenë mundësi që për një muaj që të shpalosin programin e tyre elektoral meqenëse organizohen me ligjin e vjetër.

Top Channel