Cameron: Nuk i mirëpresim leksionet nga Barroso

13/09/2013 15:45

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, iu përgjigj në mënyrë të ashpër presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barrosos, për disa komente aspak të “mirëpritura” mbi partinë e tij.

Ditën e mërkurë, Barroso kritikoi politikën e ndjekur nga qeveria aktuale britanike ndaj BE-së, ndërsa sugjeroi se me këtë qëndrim “izolacionist”, Cameron mund ta ketë të vështirë të rizgjidhet për një mandat të dytë.

Në një kundërpërgjigje të shpejtë, Cameron u shpreh se “leksionet mbi partinë tonë nga ana e Barrosos nuk janë të mirëpritura”.

Tensionet midis Londrës zyrtare dhe Brukselit ndodhen aktualisht në një nivel kulmor historik, pasi Cameron premtoi më parë gjatë 2013-s mbajtjen e një referendumi në 2017-n, në të cilin britanikët do të vendosin nëse do të duan të mbeten apo të ndahen nga Bashkimi Europian.

Shumë anëtarë të partisë së Cameron kanë thënë publikisht se anëtarësimi i Britanisë në BE nuk mund të merret si i mirëqënë dhe se në të ardhmen ai do të varet nga rinegocimi i suksesshëm i kushteve të një vendi anëtar.

Sipas tyre, në mënyrë që vendi të heqë dorë nga referendumi që në bazë të sondazheve të sotme do të sillte daljen nga BE-ja, Brukseli duhet të pranojë t’i japë më shumë pushtet qeverisë së Londrës në disa sektorë të ndryshëm.

Top Channel