Aleksandar Vulin tha se ndërrimi i udhëheqjes në katër komunat e veriut nuk do të thotë se Serbia heq dorë nga Kosova.

“Ky nuk është ndryshim i politikës, ky është ndryshim i udhëheqjes. Nuk është ndryshim i politikës së ruajtjes së Kosovës dhe ruajtjes së interesave të Serbisë në këto hapësira”, deklaroi ministri pa portofol në Qeverinë serbe i ngarkuar me Kosovën.

Deklaratat Vulin i lëshoi gjatë ceremonisë së ndërrimit të të ashtuquajturve udhëheqësit serbë të veriut. Krerët e shkarkuar komunalë, javën e kaluar kundërshtuan daljen e serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë më 3 nëntor.

Qeveria e Serbisë emëroi të enjten Kërstimir Pantiç si kryetar të atij që ajo e quan organ i përkohshëm i Komunës së Mitrovicës. Vendimi për emërim Qeveria e Serbisë e mori pasi me vendim të 10 shtatorit shpërndau kuvendet e katër komunave në veri të Kosovës dhe tani kryetar në ato komuna janë: Stevan Vuloviç në Zubin Potok, Dragan Nedeljkoviç në Zveçan, Dragan Jablanoviç në Leposaviç dhe Kërstimir Pantiç në Mitrovicë.

Top Channel