
Një vit i ri politik nis në “Top-Story”, në edicionin e tetë të programit të drejtuar prej Sokol Ballës. Një vit i ri që nis me ndryshime të rëndësishme politike, me një qeveri të re, por edhe me përplasjet e para në Kuvend midis palëve.
Në seancën e së mërkurës, demokratët bojkotuan fjalën e kryeministrit Rama, ndërsa tashmë përballja politike duket se është zhvendosur tek detajet e programit politik të mazhorancës së majtë.
Por, cili është thelbi i programit, ku mbarojnë premtimet dhe ku fillon propaganda? Për të gjitha këto, në studion e “Top-Story” ishin të ftuar deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani, ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, si dhe Xhavit Shala, ekspert i çështjeve të rendit e sigurisë e analistët Arjan Vasjari, i MAPO-s e Aleksandër Çipa, i të së përditshmes “Shqip”.
Duke nisur bisedën në studio tek përplasja verbale në Parlament, Felaj deklaroi: “Unë kam përshtypjen se sherri i tërhoqi mëndjen vetëm gazetarëve, ndërsa unë sot, në kontaktet me njerëzit e zakonshëm kam parë që vëmendja e tyre ka qenë e përqendruar tek zotimet e riafirmuara të zotit Rama e jo tek ngjarja banale që provokoi opozita në atë seancë. Kjo sjellje nuk ishte surprizë për ne, pasi do të ishte shumë e vështirë që Berisha të përballej haptazi me serinë e gënjeshtrave që kanë mbajtur këto tetë vite qeverisjen në këtë vend. Sjellja e ish-kryetares Topalli, nga ana tjetër tregoi se ata ende nuk kanë mundur të lexojë verdiktin e popullit. Janë një milionë shqiptarë që kanë votuar kundër mënyrës së vjetër të qeverisjes, e në seancë u thua që ne nuk do të keqqeverisim, por se do të sjellim një model të ri qeverisjes. U konstatua edhe hipokrizia e qeverisjes në këto tetë vite. Një ish-kryetare Kuvendi që nuk zbaton as rregullat minimale të sjelljes, e bën një sjellje rrugace. Është shumë e vërtetë ajo që thotë zoti Arvizu se pak mirësjellje do t’i kishte shërbyer të gjithëve, aq më tepër opozitës atje ku ndodhet”.
Në një qëndrim diametralisht të kundërt, ish-deputeti i djathtë Alibeaj e konsideroi si tendencioz fjalimin e kryeministrit të ri Rama. “Po të donte mund ta shmangte, madje po të dinte duhet të shmangte përballjen (i referohet fjalimit të Ramës). Ky virus i maxhorancës së re për të anatemuar opozitën është përhapur me shpejtësi të madhe në të gjithë përbërjen e kësaj mazhorance. Edhe parafolsja të njëjtën gjë tha, kur iu referua kryetares së Kuvendit apo edhe asaj që ka qenë cilësia e qeverisjes së maxhorancës së djeshme, që mirë apo keq, këtë e dinë më mirë se kushdo shqiptarët”, tha Alibeaj.
“Sot e në vazhdim, në ka kryefjalë që duhet të jetë pjesë e programit dhe vlerësimit me sy kritik konstruktiv, është puna e qeverisë për kryeministrin, që nis në momentin e shpërhapjes së programit të tij në Kuvend”, vazhdoi Alibeaj. “Ajo që ju thatë se ishte një fjalim programatik që nuk mund të rrudhet nga konsideratat politike s’është e vërtetë. Është krijuar sot e 20 e kusur vjet, një zakon parlamentar, që seanca më e rëndësishme e një legjislature, ajo e shpalosjes së programit të qeverisë së re të ardhur rishtaz në pushtet bëhet me programe e fjalime që janë të gjata, e mbase të bezdishme, por që në përbërjen e tyre nuk kanë asnjë emocion politik. Kryeministri nuk mund t’i lejojë vetes këto emocione. Tashmë nuk e ka më luftën me opozitën, por e ka përballjen e dialogun me qytetarët, ata që e kanë votuar”.
Për përfaqësuesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, zotin Manjani, fjalimi duhet të merret në kontekstin e tij politik dhe si i tillë, “ky fjalim ishte jashtëzakonisht i arrirë”. “Në të gjithë këto vite kam qenë kritik ndaj Edi Ramës. Por, në atë prezantim që dëgjuam dje, sipas meje u shënua një standart tjetër i mënyrës komunikimit të një kryeministri. Është një komunikim politik në kontekstin shqiptar, është një standart absolutisht shumë i lartë, i paaritur më parë dhe nuk po them që do t’i bëjë ato që ka thënë, por një standart komunikimi për instituicionin e kryeministrit që për mua qëndron veç e vendosi. Pyetjet që do të ngrihen mbi programin do të përgjigjen në ditët në vazhdim, ndaj ky debat s’ka mbaruar, por si standart ishte “super-klas”. Nuk pashë sharje e fyerje. E kuptij që fjala mund të vrasë, por ai që nuk duron le të mbyllë veshët. Ne këtë nuk e duam, por duhet të kuptojmë që palët vijnë të ngarkuara në sallën e Parlamentit nga emocione që krijohen jashtë sallës dhe kjo është e vërteta sepse fjala e fundit që provokoi opozitën, ishte “si për ironi të fatit, kryetari i ri i opozitës është kryebashkiak”. Kryetari i vërtetë këtu vendosi të largohej (i referohet Berishës), duke kuptuar se kryetar i zgjedhur është kryetari i SHQUP-it dhe asgjë më shumë. Të isha unë Rama do e thoja këtë, por ai nuk e tha dhe për këtë ia vlen ta komplimentojmë”, komentoi Manjani.
Në një ekspoze të gjërë që i bëri situatës aktuale, Vasjari theksoi: “Opozita nuk ndihet plotësisht në pushtet dhe anasjelltas, ndaj jemi në atë krizën fillestare të mosadaptimit. PD të krijon përshtypjen e një force politike, e cila beson se i është bërë një padrejtësi. Ka një zemëratë e përpiqen ta orientojë atë tek maxhoranca. Partia Demokratike besoj se duhet të pranojë më në fund që i humbi zgjedhjet, që verdikti i 23 qershorit është i paapelueshëm dhe kjo qasje do t’i ndryshojë edhe qasjen politike. Mazhoranca, nga ana e saj ka importuar frustacionet që disa herë ia kishte shkaktuar ish-mazhoranca, e kjo manifestohet tek një sens gati për t’u konfliktuar. Rama vërtet ishte korrekt, por Ruçi bëri një deklaratë krejt të papranueshme, që ne nuk kemi ardhur këtu për t’iu pyetur juve. Sigurisht, unë mendoj që është në fiziologjinë normale të gjërave, të cilat nuk më duken dramatike, por besoj se të dy zotërinjtë që kanë fatet e demokracisë në dorë (Rama e Basha) do të dijnë ta fitojnë këtë sfidë, e besoj se duke pasur një qasje më europianiste e civile, këta do ta kolaudojnë në shina më normale politikën tonë”.
Në një reagim mbi këto vlerësime, deputetja Felaj u kundërpërgjigj: “Unë e kuptoj që nervat e opozitës cënohen lehtë nga këto deklarata, por ne jemi koherentë në pronocimet publike. Nëse nuk zbatojmë premtimet, atëherë nuk do të ishim të vërtetë. Asgjë nga ato që u thanë nuk ishin gjëra të reja, por vetëm rikonfirmim i atyre që kemi thënë. Të thuash që ne nuk kemi marrë mandat nga shqiptarët për t’i vënë kapak gjërave të tmerrshme që kanë ndodhur këtu, nuk do të thotë që ne do të bëhemi gjyqtarë e prokurorë, e as kemi ndërmend të zhbëjmë pushtete. Secili pushtet do të vihet në rolin dhe përgjegjësinë e tij për të bërë drejtësi e modelin e të parit do ta bëjmë ne”.
Duke mbyllur debatin e përqendruar tek përplasja e parë e legjislaturës së re të Kuvendit, zoti Çipa i kushtoi një rëndësi të veçantë reformimit të opozitës, si katalizatorin që do të mbyllë procesin e tranzicionit në Shqipëri. “Seanca e djeshme riprodhoi fenomenin tipik që shembet rendi i më të rëndësishmes në komunikim. Përshembull, në rastin konkret, shumë pak media i kushtuan rëndësi tekstit real që lexoi kryeministri, që nga kualiteti shkrimor dhe përmbjatja tejkalonte në disa momente edhe vetë programin e qeverisë, e këtë e them me korrektesën e njeriut që e ka lexuar këtë fjalim e gjithashtu programin e qeverisjes me shumë vëmendje. E dyta që është shumë e rëndësishme për atë që ne e përjetojmë si qytetarë e që kërkojmë një politike që të kapërcejë vetveten, më bëri përshtypje gjesti i deputetit Berisha, i cili dëshmoi apo kompromentoi se kush e zotëron sovranitetin vendimarrës në PD. Në momentin e largimit, ai kishte një gjestikulacion që i tha të gjithë anëtarëve të grupit që të çoheshin e kjo performancë lexohet politikisht. Nga ana tjetër, jemi në një moment krucial për marrëdhënien që duhet të sendërtojnë shumica e re aktuale, në raport me një opozitë që do të përballet me një proces të brendshëm reformues. Nëse ne duhet të kapërcejmë tranzicionin, është substacionale reformimi i opozitës së djathtë sot, që duhet të jetë nën respektin maksimal të shumicës”.
Në programin e lexuar nga kryeministri Edi Rama në sallën e parlamentit një ditë më parë, një vend të vecantë zë edhe lufta kundër krimit dhe rendi publik. Specialisti i sigurisë, Xhavit Shala vlerësoi se programi është ambicioz që synon rikthimin e policisë së shtetit në kontroll të plotë të territorit të vendit: “Programi është ambicioz dhe unë mendoj që do të kërkojë shumë punë për t’u zbatuar. Ai është i domosdoshëm dhe i mbështetur në 3 shtylla, në strategjinë për luftën kundër krimit, jo vetëm të organizuar, por edhe të krimeve të vogla. Ndryshimet janë ato të duhurat të nevojshme në legjislacion. Ligjet janë, por duhen rishikuar dhe pjesa tjetër ka të bëjë me strukturat e domosdoshme. Ne i kemi strukturat, por ka ardhur koha që për të rritur rezultatet, është i domosdoshëm një ristrukturim në përputhje me këto 3 shtylla. Programi është përqendruar në zgjidhjen e problemeve të ngutëshme, sepse ka probleme aktuale me krimin e rrugës. Me kalimin e viteve humbi koncepti i kontrollit mbi territorin. Duhet që policia të rikthehet në kontroll të plotë të territorit. Kjo strategji ka detyrat afatshkurtëra, kontrolli i territorit dhe kontrolli i territorit në qarkullimin rrugor. Detyrë tjetër është edhe rritja e shërbimit në kufi dhe luftës së krimit ndërkufitar. Do të kërkohet punë për t’u zbatuar pikat e programit, por besoj që do të zbatohen sepse shpresojmë që të marrim statusin kandidat dhe do të duhet të plotësojmë të tjera kushte. Ka kaluar 10 vjet që në policinë e shtetit nuk ka shkollë të lartë. Ka ardhur koha që të rikthehet shkolla e lartë për policinë. S’mund të nxjerrim oficerë të Policisë Gjyqësore me një arsim të cunguar. Ka probleme në sistemin e formimit të efektivëve policorë”, tha zoti Shala.
Përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani deklaroi se duke u përqendruar në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka harruar krimin e zakonshëm. “Kjo vjen sepse politika i ka dhënë prioritet strukturave të policisë të luftës kundër krimit të madh dhe harrojmë krimin e vogël. Policia është larguar nga territori, komisariati ka marrë gjithnjë e më pak vlerë, vlerën e ka marrë Drejtoria e Policisë”, tha ai.
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj hodhi poshtë pretendimet për uljen e krimit në vitet e fundit në vend, sipas saj ka ndodhur e kundërta. Ajo foli edhe për një prej pikave të programit që flet për rikthimin e rendit dhe qetësisë publike: “Ideja jonë për të ngritur byronë e hetimit në varësinë e kryeministir, me unifikimin e policisë, ngritjen e saj në një nivel piramidal dhe përfshirjen brenda kësaj strukture që do të merren me hetimin. Ngritja e një strukture që në themel do të ketë korrupsionin që është e keqja më e madhe e këtij vendi. Një njesi që do të hetojë prokurorë dhe gjyqtarë”, tha ndër të tjera Felaj.
Por përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i quajti si atentat kundër Kushtetues programin e mazhorancës së re për rendin. Ai tha se të gjithë qytetarët duhet të tremben nga këto propozime, të cilat sipas tij rikthejnë sistemin e hetuesve dhe përndjekjes ndaj qytetarëve. Alibeaj tha se me këto propozime kalojnë në dorë të kryeministrit organet hetimore. “Nëse kjo është Rilindje, sot kam kuptuar sensin e vërtetë, rilindje të komunizmit, rilindje e sistemit të hetimit, përndjekjes dhe hetim në duart e kryeministrit. Sot prokuroria ushtron hetime në mënyrë të pavarur. Skenari që janë duke përgatitur është që ai kryehetuesi që qendron në zyrën ngjitur me Ramën, do të hetojë, do të mbledhë provat dhe do ja cojë prokurorit dhe do t’i thotë shko në gjyq. Sot nuk është kështu, sot titullari i provës është prokurori. Ka disa standarde që janë vendosur në Kushtetutë, nëse zotërinjtë kanë ardhur me shpatë të madhe për ta prerë këtë Kushtetutë, po ju them që e kanë gabim. Sot e kuptova që kanë ardhur jo për të kthyer pushtete, por sisteme”, deklaroi Alibeaj.
Sa i përket zotimit për rikthimin e rendit dhe sigurisë në 100 ditët e para të qeverisjes, deputetoja socialiste, Ermonela Felaj shprehu sigurinë se mazhoranca dhe qeveria e re do të plotësojnë programin e tyre duke mos lejuar më, sic tha ajo, “republika hashashi”.
Top Channel