Kryediplomatët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nisën takimin në Gjeneve të Zvicrës, ku do të diskutohet plani i Moskës për të vendosur armët kimike të Sirisë nën kontrollin ndërkombëtar.
Si Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ashtu dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, shpresojnë se përmes këtij plani do të shmanget ndërhyrja ushtarake.
“Zgjidhja për çështjen e armëve kimike të Sirise do ta bëjë të panevojshme ndërhyrjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe jam i bindur se partnerët tanë amerikanë – siç ka thënë dhe presidenti Obama – preferojnë në mënyrë të vendosur një zgjidhje paqësore për problemin e armëve kimike të Sirisë”, u shpreh Lavrov.
“Pritshmëritë janë të larta për Shtetet e Bashkuara, ndoshta më shumë për Rusinë për ta mbajtur premtimin. Kjo nuk është një lojë, ia thashë këtë edhe mikut tim, Sergei, kur biseduam në fillim: duhet të jetë i vërtetë”, deklaroi Kerry.
Kerry tha se presidenti amerikan, Barack Obama, e ka bërë të qartë se, nëse diplomacia dështon, atëherë përdorimi i forcës do të jetë i nevojshëm. Ndërsa sipas Lavrov, duke iu referuar zhvillimeve, atëherë krijohet një mundësi për të organizuar Konferencën “Gjeneva 2”, me qëllimin për ta larguar gjendjen nga përballja ushtarake.
Uashingtoni akuzon regjimin sirian për vrasjen e qindra personave, pas një sulmi me armë kimike në zonën e Gutas, në periferi të Damaskut, më 21 gusht. Këto janë bisedimet më kritike, që bëhen për Sirinë gjatë këtyre dy viteve të konfliktit, me qëllimin për ta zhveshur Assad-in nga arsenali i tij i armëve kimike.
Korrespondenti i BBC-së në Gjenevë, James Robin, thotë se dy ekipet që shoqërojnë Kerry-n dhe Lavrov janë të zgjeruar me shumë diplomatë dhe ekspertë të armëve. Sipas tij, diskutimet për detajet do të ecin paralelisht me bisedimet politike mes Kerry-t dhe Lavrov, që parashikohen të zgjasin deri të shtunën.
Më herët, John Kerry bisedoi në Gjenevë me të dërguarin e OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi.
Të enjten, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paraqiti tre fazat kryesore të propozimit; së pari, Siria t’i bashkohet Konventës së Armëve Kimike, që i ndalon ato; së dyti, të tregojë se ku janë magazinuar armët kimike dhe të japë detaje për programin; dhe, së treti, ekspertët të vendosin për masat specifike që duhet të merren.
Assad flet para takimit të Gjenevës
“Armët kimike do vihen nën kontroll ndërkombëtar nga Rusia”
Presidenti sirian, Bashar al-Assad, gjatë një interviste për televizionin rus “Rosija 24”, tha se armët kimike të vendit të tij do të vihen nën kontrollin ndërkombëtar.
Komenti erdhi ndërsa ministrat e Jashtëm të SHBA-së dhe Rusisë po përgatiten të takohen në Gjenevë të Zvicrës, për të diskutuar planin e propozuar nga Moska.
“Siria po vendos armët kimike nën kontrollin ndërkombëtar prej Rusisë. Kërcënimet e Shteteve të Bashkuara nuk kanë ndikuar në këtë vendim”, tha Assad.
Assad shtoi se Siria do të nënshkruajë Konventën e Armëve Kimike dhe se janë paraqitur të dhënat rreth këtyre armëve. Armët do të dorëzohen 1 muaj pas nënshkrimit të saj.
OKB konfirmoi se ka marrë dokumentet nga Siria për t’iu bashkuar Konventës, që cilëson të paligjshme prodhimin dhe përdorimin e armëve kimike.
Gjenerali Salim Idriss, i “Ushtrisë së Lirë Siriane”, kundërshtoi kategorikisht planin rus dhe këmbënguli se gjëja më e rëndësishme është të ndëshkohen autorët e sulmit me armë kimike.
Top Channel