Siria, Fuqitë e Mëdha diskutojnë planin rus

12/09/2013 02:00

Të dërguarit e 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurisë në OKB janë takuar në New York për të diskutuar planin e Rusisë për kontrollin e armëve kimike të Sirisë.

Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Franca kërkojnë të kufizohen në një rezolutë detyruese, por Rusia preferon një deklaratë jo-detyruese. Rusia dhe SHBA-të do të zhvillojnë bisedime bilaterale në Gjenevë këtë të enjte.

Siria ka mbështetur planin e Rusisë për t’i vendosur armët kimike nën kontrollin e ndërkombëtarëve. SHBA-të kanë thënë se nëse ky ndërmerret ky hap, atëherë do të hiqet dorë nga sulmet ushtarake dhe do të fokusohen në zgjidhjen diplomatike.

Rusia njoftoi më herët se i ka dorëzuar tashmë Amerikës detajet e planit. Më shumë se 100 mijë persona kanë vdekur në Siri, që prej nisjes së trazirave kundër presidentit Bashar al-Assad, në vitin 2011.

Diplomatët nga SHBA, Britania dhe Franca kanë zhvilluar bisedime të ndara, përpara takimit të të ashtuquajturës takim i 5 të dërguarve specialë. Takimi zgjati më pak se 1 orë dhe pjesëmarrësit refuzuan të komentonin gjatë largimit.

Franca ka punuar prej kohësh mbi një draft-rezolutë, që do të përforconte kapitullin e 7 të statutit të OKB-së, që do të sanksiononte përdorimin e forcës në Siri, nëse kjo e fundit do të dështojë me detyrimet e saj.

Gjithsesi, Rusia ka theksuar sërish se kjo gjë do të ishte e papranueshme, si çdo rezolutë tjetër, që do të fajësonte qeverinë siriane për sulmet me armë kimike.

SHBA-të bëjnë përgjegjëse qeverinë siriane për sulmin e 21 gushtit në Damask, i cili la 1429 persona të vrarë. Ndërkohë, qeveria siriane fajëson rebelët për sulmin.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, priten të takohen në Gjenevë për diskutime të mëtejshme formale mbi propozimin. Ata folën në telefon gjatë së mërkurës me njëri-tjetrin.

Një diplomat i tha BBC-së se bisedimet e 5 të dërguarve ishin kryesisht simbolike, pasi çështjet më të rëndësishme do të lihen për diskutim në Gjenevë.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha të mërkurën: “Sekretari Kerry dhe Ministri Lavrov biseduan në mëngjes në lidhje me takimin e Gjenevës. Ata diskutuan rreth kornizave të planit dhe objektivave të përbashkëta për diskutime të pavarura rreth mekanizmave të identifikimit, verifikimit dhe shkatërrimit përfundimtar të arsenalit kimik të Assad-it, në mënyrë që ato të mos përdoren më kurrë”.

Një burim nga Rusia tha për agjencinë e lajmeve “Itar-Tass” se takimi i Gjenevës do të jetë bilateral dhe nuk do të përfshijë OKB-në. Sipas tij, “pritet që takimi të nisë të enjten dhe të përfundojë të premten, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ai të zgjasë deri të shtunën”.

Zëdhënësja e DASH, Jen Psaki, tha se Moska deri tani “ka vënë përpara idetë”, dhe jo një “paketë të gjatë” e të detajuar. Sipas saj, ka ende “disa komponentë, që duhen sqaruar e diskutuar”.

Psaki konfirmoi gjithashtu se Kerry do të takojë edhe të dërguarin special të Ligës Arabe dhe OKB-së në Siri, Lakhdar Brahimi, po në Gjenevë. Një ekip ekspertësh të ushtrisë amerikane do të shoqërojnë Kerry-n.

Ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, pranoi se procesi i kontrollit të armëve kimike nga ndërkombëtarët, do të “marrë një kohë të konsiderueshme”. Ai shtoi se “Rusia po vendos në diskutim prestigjin e saj”.

Top Channel