Qeveria e Serbisë e ka emëruar Krstimir Pantiç kryetar të këshillit të
përkohshëm të Mitrovicës, kuvendi komunal i të cilës u shpërbë para dy
ditëve.

Kështu raporton agjencia serbe e lajmeve, “BETA”, e cila saktëson se vendimi është publikuar në gazetën zyrtare të Serbisë.

Pjesëtarë të tjerë të këtij këshilli janë emëruar Dragisha Vlaskoviç, Dragan Radisavljeviç, Aleksander Spiriç dhe Ninislav Gjeriç.

Për kreun e këshillit të përkohshëm të komunës së Leposaviçit, qeveria serbe ka emëruar Dragan Jablanoviç, ndërsa anëtarë janë emëruar Dabrivoje Gjurgjeviç, Zoran Todiç, Mark Kuzmanoviç dhe Rodos Mihajloviç.

Për kreun e këshillit të përkohshëm të Zveçanit, Beogradi zyrtar ka emëruar Dragan Nedeljkoviç, ndërsa pjesëtarë janë emëruar Ivan Todosijeviç, Sinisha Milosavljeviç, Milivoje Galjak dhe Miodrag Açiç.

Qeveria e Serbisë ka emëruar edhe Stefan Vuloviç si kryetar të këshillit të përkohshëm të Zubin Potokut.

Më 10 shtator, ekzekutivi i drejtuar nga kryeministri Ivica Daçiç shpërndau kuvendet komunale të katër komunave të veriut në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Top Channel