BE: Keqardhje që partitë në Kosovë s’gjetën një figurë unifikuese për president Me 328 vota pro, 257 kundër dhe 46 abstenime, Parlamenti Europian miratoi një paketë reformash shtrënguese për vizat dhe zonën Shengen, përfshirë mekanizmin kërcënues për lëvizjen e lirë me vendet e Ballkanit.
Të majtët dhe të gjelbrit kishin kërkuar shtyrjen e votimit, ndërsa akuzuan grupimin e qendrës së djathtë për bashkim me forcat konservatore dhe populiste, kundër qytetarëve europianë dhe së drejtës themelore të lirisë së lëvizjes.
“Kaq naivë jemi, sa të pranojmë këtë lojë e t’i japim Këshillit mekanizmin pezullues, që do të dëmtojë seriozisht politikat tona me Ballkanin dhe të drejtat tona? Votimi i këtij raporti e jep të drejtën e Parlamentit, domethënë të qytetarëve tanë, falas, në një fushë të rëndësishme si ajo e politikës së vizave, duke ndikuar te qytetarët për të lëvizur, punuar dhe studiuar. Ka shumë keqinformime rreth këtij raporti dhe ju bëj thirrje ta shtyni votimin”, u shpreh Tanja Fajon, eurodeputete sllovene, socialdemokrate.
“Është krejtësisht e pavërtetë se po shkelim të drejtat, që gëzon Parlamenti nga Traktati i Lisbonës. Në lidhje me reciprocitetin dhe pezullimin, Parlamenti do të ketë gjithnjë fuqinë e bashkë-vendimmarrjes. Nuk i takon eurodeputetëve, por Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që të vendosë nëse legjislacioni është i ligjshëm ose jo, pasi kjo është një çështje tejet politike”, tha Agustin Diaz De Mera Garcia Consuegra, raportues, EPP.
Me votimin e sotëm, Parlamenti Europian humbi të drejtën e vendimmarjes, nëse ky mekanizëm do të përdoret në të ardhmen.
Me gjithë rënien e numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit, vendet anëtare kanë në dorë tashmë mekanizmin ndëshkues, në rast fluksi të rëndësishëm nga ndonjë prej vendeve, që gëzojnë lirinë e lëvizjes në zonën Shengen.
Në raste ankimimi nga një ose disa vende anëtare të BE-së, hyrja në fuqi e një mekanizmi të tillë do të përdoret vetëm si mjet i fundit dhe do të kërkojë masa, raporte e verifikime disa mujore, para se të merret vendimi për kalimin e përkohshëm të vendit abuzues në regjimin me viza.
Top Channel