Me 328 vota pro, 257 kundër dhe 46 abstenime, Parlamenti Europian miratoi një paketë reformash shtrënguese për vizat dhe zonën Shengen, përfshirë mekanizmin kërcënues për lëvizjen e lirë me vendet e Ballkanit.

Të majtët dhe të gjelbrit kishin kërkuar shtyrjen e votimit, ndërsa akuzuan grupimin e qendrës së djathtë për bashkim me forcat konservatore dhe populiste, kundër qytetarëve europianë dhe së drejtës themelore të lirisë së lëvizjes.

“Kaq naivë jemi, sa të pranojmë këtë lojë e t’i japim Këshillit mekanizmin pezullues, që do të dëmtojë seriozisht politikat tona me Ballkanin dhe të drejtat tona? Votimi i këtij raporti e jep të drejtën e Parlamentit, domethënë të qytetarëve tanë, falas, në një fushë të rëndësishme si ajo e politikës së vizave, duke ndikuar te qytetarët për të lëvizur, punuar dhe studiuar. Ka shumë keqinformime rreth këtij raporti dhe ju bëj thirrje ta shtyni votimin”, u shpreh Tanja Fajon, eurodeputete sllovene, socialdemokrate.

“Është krejtësisht e pavërtetë se po shkelim të drejtat, që gëzon Parlamenti nga Traktati i Lisbonës. Në lidhje me reciprocitetin dhe pezullimin, Parlamenti do të ketë gjithnjë fuqinë e bashkë-vendimmarrjes. Nuk i takon eurodeputetëve, por Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që të vendosë nëse legjislacioni është i ligjshëm ose jo, pasi kjo është një çështje tejet politike”, tha Agustin Diaz De Mera Garcia Consuegra, raportues, EPP.

Me votimin e sotëm, Parlamenti Europian humbi të drejtën e vendimmarjes, nëse ky mekanizëm do të përdoret në të ardhmen.

Me gjithë rënien e numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit, vendet anëtare kanë në dorë tashmë mekanizmin ndëshkues, në rast fluksi të rëndësishëm nga ndonjë prej vendeve, që gëzojnë lirinë e lëvizjes në zonën Shengen.

Në raste ankimimi nga një ose disa vende anëtare të BE-së, hyrja në fuqi e një mekanizmi të tillë do të përdoret vetëm si mjet i fundit dhe do të kërkojë masa, raporte e verifikime disa mujore, para se të merret vendimi për kalimin e përkohshëm të vendit abuzues në regjimin me viza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA