Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara përcakton se të dyja palët e përfshira në luftën civile të Sirisë kanë kryer krime të rënda në shkelje të ligjeve ndërkombëtare.
Forcat qeveritare vazhdojnë të sulmojnë popullsinë civile, duke shkaktuar krime ndaj njerëzimit, sipas raportit të lëshuar të mërkurën nga Këshilli i të drejtave të njeriut në OKB.
Por, grupet anti-qeveritare, në betejën e tyre kundër presidentit Bashar al-Assad, kanë kryer gjithashtu krime lufte, përfshi vrasjet, torturat dhe pengmarrjet, thekson raporti.
Raporti jep detaje mbi 9 masakra që janë hetuar prej tij, 8 besohen të jenë kryer nga qeveria dhe 1 nga opozita siriane.
Ndërkohë që luftimet vazhdojnë, “janë civilët ata që vazhdojnë të paguajnë çmimin e dështimit të negociatave për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm”, deklaroi agjencia në një njoftim të përgatitur.
Raporti vjen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar përballet me çështjen se si do t’i përgjigjen sulmit me armë kimike në Siri, gjatë muajit të kaluar, gjë për të cilën fajësohet qeveria e Assad.
Qeveria, fajtore për masakrën në al-Bayda
Njëra nga 8 masakrat, që raporti ia atribuon forcave qeveritare, është një ngjarje famëkeqe, që ndodhi në fshatin al-Bayda në maj.
Disa viktima në al-Bayda “duken të goditur në kokë me mjete të mprehta dhe të rënda”, thekson raporti. “Trupat e 30 femrave janë mes të ekzekutuarve, ndërsa dhjetra trupa të tjerë u gjetën të shtrirë nëpër rrugë. Rreth 150-250 civilë besohen të kenë vdekur”.
Xhihadistët, të lidhur me akuzimet e opozitës
Krimet e luftës të shkaktuara nga anti-qeveritarët, sipas raportit të OKB, i atribuohen kryesisht grupeve xhihadiste, të cilat janë bashkuar në terrenin e luftës vonë, por që tashmë janë ndër më të fuqishmit.
Në qershor, forcat anti-qeveritare, përfshi anëtarë të xhihadistëve Jabhat al-Nusra, sulmuan zonat shiite në fshatin Hatla. “Të paktën 20 civilë u vranë nga sulmi i paligjshëm në Hatla, duke shkelur ligjet ndërkombëtare”, citon raporti.
“Fitorja ushtarake, e pamundur në Siri”
Raporti i OKB-së është bazuar mbi 258 intervista të marra nga 15 maji deri në 15 korrik. “Autorët e kësaj dhune dhe këtyre krimeve, nga të gjitha palët, kanë vepruar në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”, thekson raporti. “Ata nuk i frikësohen pasojave të tyre”.
Periudha e hetimeve të këtij raporti është më e hershme se sulmi me armë kimike në Siri, që çoi deri aty sa u diskutua edhe mundësia e sulmeve ushtarake, në kundërpërgjigje të regjimit të Assad. Të dyja palët e përfshira në konflikt vazhdojnë të luftojnë, sepse besojnë te një fitore e mundshme ushtarake, – thekson raporti, – por një rezultat i tillë nuk është i mundur.
“Nuk ka asnjë zgjidhje ushtarake në këtë konflikt, – thuhet në raport. – Ata që marrin armët në duar thjesht sa krijojnë iluzione për një fitore të mundshme”.
Top Channel