Norvegji, vrasësi i 77 personave nis universitetin

12/09/2013 19:00

Njeriu i dënuar për vrasjen e 77 personave dhe plagosjen e më shumë se 200 të tjerëve në një sulm të motivuar nga racizmi në Norvegji në vitin 2011 nisi të enjten universitetin për shkenca politike.

Anders Behring Breivik, i cili u dënua në maksimimun e parashikuar nga ligji norvegjez prej 21 vitesh heqje lirie u pranua në programin e studimit në distancë.

34-vjeçari është duke vuajtur aktualisht dënimin e tij në një burg të sigurisë së lartë dhe nuk do të ketë kontakt të drejtëpërdrejtë me stafin e universitetit.

Dekani i universitetit theksoi rëndësinë e trajtimit të Breivik në mënyrë të drejtë. “Ajo që ne shpresojmë të tregojmë është se vlerat tona janë të ndryshme nga të tijat. Megjithatë, ndonëse i dënuar për një krim të tmerrshëm, Breivik e meriton që të trajtohet si të gjithë të tjerët”, deklaroi Ole Petter Ottersen, dekani i Universitetit të Oslos.


Kurora me lule ne Utoja, ishullin prane Oslos ku Breivik ekzekutoi 69 prej 77 viktimave te tij

Shumica e viktimave të Breivik, në sulmin famëkeq të 22 korrikut 2011 ishin studentë, shumë prej të cilëve të të njëjtit universitet.

Top Channel