Deputetët e Kuvendit të Kosovës hapën sezonin vjeshtor me akuza të ashpra ndaj qeverisë.

Ligjvënësit kosovar akuzuan qeverinë, duke theksuar se tashmë është dorëzuar para Serbisë, duke marrë për bazë heqjen e logos së shtetit në zgjedhjet e nëntorit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, theksoi se ky vendim vjen si rezultat i negociatave të kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç. Sipas tij, qeveria tashmë ka shitur simbolet shtetërore para Serbisë.

“Ne e dimë se simbolet e Kosovës kanë qenë të imponuara, por këta zyrtarë qeveritarë, të cilët kanë bërë madje edhe fushata denigruese kundër atyre, që kanë qenë kritikë dhe nuk janë pajtuar me simbolet e Kosovës, janë pikërisht këta, që po i shesin këto simbole, në rastin e parë që po u jepet mundësia”, tha Galuk Konjufca, deputet i VV.

Ligjvënësit opozitarë akuzuan më tej qeverinë për situatën e krijuar me Maqedoninë. Deputetët vlerësuan se situata e krijuar ka më shumë karakter fushate elektorale, se sa të problemeve në praktikë.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta, ka shprehur qëndrimin kundër marrëveshjes së fundit në Bruksel për telekomunikacionin, duke thënë se me këtë marrëveshje po shkelet Kushtetuta.

“Pyetja e pashmangshme këtu është, çfarë arsye kishte Kosova për një kompromis të tillë me Serbinë, kur e kishte të hapur bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë. Kjo është vërtet paradoksale”, tha Agim Kuleta, deputet i Lëvizjes për Bashkim.

Ndërkaq, Skënder Hyseni, deputet i LDK-së, ka kërkuar heqjen e rezolutës 1244, pasi – sipas tij – kjo çështje po mundëson postbllok të pakalueshëm për vendin.

“Kemi një kontradiktë të thellë midis zëvendësimit të rezolutës 1244, në njërën anë, dhe betonimin e rezolutës në fusnotën famëkeqe, të cilën LDK e konsideron si gabim strategjik të bërë nga institucionet e Kosovës. Në fusnotë, kjo rezolutë është rivendosur në vullnetin e Kosovës dhe kërkesa e menjëhershme, që kjo të përmbyllet totalisht, tregon një mungesë akute të vazhdimësisë së politikës së jashtme në përgjithësi”, tha Skënder Hyseni, nga LDK.

Sipas z. Hyseni, teksti i rezolutës 1244 nuk përmban asnjë dispozitë, sa i përket përfundimit të saj, sepse Këshilli i Sigurimit nuk ka marrë vendim për shfuqizimin e saj.

Top Channel