Manjati i Porsche tërhiqet nga projekti i “tunelit për një person” në Salzburg, vila nxirret në shitje pas protestave dhe debatit për pabarazinë sociale Parlamenti Europian diskutoi për të ashtuquajturin raport “De Mera”, ku përfshihet mekanizmi ndëshkues për rikthimin e vizave Shengen ndaj një vendi të tretë, në rast abuzimi të kërkesave për azil në një, apo më shumë vende të BE-së.
“Qartazi, ky mekanizëm do të ketë ndikime te vendet e treta, por mendoj se ne duhet të mbrojmë qytetarët tanë të BE-së dhe të kërkojmë zgjidhje për problemet, që hasin miliona qytetarë nga cilido vend”, u shpreh Agustin Diaz de Mera Garcia Consuegra, raportues për vizat në LIBE, PPE.
Ndryshe nga të djathtët, socialdemokratët dhe të gjelbrit u shprehën kundër kësaj marrëveshjeje dhe kërkuan kohë për leximin e dytë, sipas procedurës nga ligjvënësit europianë.
“Ne po vëmë në rrezik, jo vetëm të ardhmen e politikës së vizave, por edhe politikat tona të fqinjësisë. Kush mund të garantojë se mekanizmi do të përdoret vetëm si mjet i fundit? Prej shumë vitesh ka pasur disa përpjekje për pezullimin e udhëtimit pa viza, për një ose më shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Do të lejojmë që kjo të ndodhë me ata, të cilëve u kemi premtuar perspektivë europiane?”, reagoi Tanja Fajon, socialdemokrate sllovene.
“Ne jemi tërësisht të zhgënjyer me këtë marrëveshje, për sa i takon pezullimit të përkohshëm të regjimit pa viza. Grupi i të gjelbërve nuk bie dakord, që rritja e numrit të aplikimeve për azil do të ishte një kriter për këtë pezullim. Banorët e një vendi të tretë, që ndodhen në listën pozitive, nuk duhet të dënohen pse bashkëkombësit e tyre tentojnë të përdorin të drejtën e tyre individuale për azil, edhe kur kjo nuk është e arsyetuar mirë”, tha Tatjana Zdanoka, lituaneze nga të gjelbrit.
“Kjo rregullore, për të qënë tërësisht e sinqertë, ndryshon politikën e plotësuar të BE-së për vizat, ndryshon natyrën e saj. Është transformuar në një instrument shantazhi, veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor, e nëse do përfundojmë duke forcuar diçka, kjo nënkupton se do të forcojmë solidaritetin mes vendeve të pasura, të tilla si Gjermania e Austria”, deklaroi Cornelia Ernst, përfaqësuese gjermane e GUE.
Kjo paketë u negociua për më shumë se një vit, ndërmjet ekspertëve të Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit, dhe pritet të votohet të enjten në seancë plenare, në Strasburg.
Top Channel