Parlamenti Europian diskutoi për të ashtuquajturin raport “De Mera”, ku përfshihet mekanizmi ndëshkues për rikthimin e vizave Shengen ndaj një vendi të tretë, në rast abuzimi të kërkesave për azil në një, apo më shumë vende të BE-së.
“Qartazi, ky mekanizëm do të ketë ndikime te vendet e treta, por mendoj se ne duhet të mbrojmë qytetarët tanë të BE-së dhe të kërkojmë zgjidhje për problemet, që hasin miliona qytetarë nga cilido vend”, u shpreh Agustin Diaz de Mera Garcia Consuegra, raportues për vizat në LIBE, PPE.
Ndryshe nga të djathtët, socialdemokratët dhe të gjelbrit u shprehën kundër kësaj marrëveshjeje dhe kërkuan kohë për leximin e dytë, sipas procedurës nga ligjvënësit europianë.
“Ne po vëmë në rrezik, jo vetëm të ardhmen e politikës së vizave, por edhe politikat tona të fqinjësisë. Kush mund të garantojë se mekanizmi do të përdoret vetëm si mjet i fundit? Prej shumë vitesh ka pasur disa përpjekje për pezullimin e udhëtimit pa viza, për një ose më shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Do të lejojmë që kjo të ndodhë me ata, të cilëve u kemi premtuar perspektivë europiane?”, reagoi Tanja Fajon, socialdemokrate sllovene.
“Ne jemi tërësisht të zhgënjyer me këtë marrëveshje, për sa i takon pezullimit të përkohshëm të regjimit pa viza. Grupi i të gjelbërve nuk bie dakord, që rritja e numrit të aplikimeve për azil do të ishte një kriter për këtë pezullim. Banorët e një vendi të tretë, që ndodhen në listën pozitive, nuk duhet të dënohen pse bashkëkombësit e tyre tentojnë të përdorin të drejtën e tyre individuale për azil, edhe kur kjo nuk është e arsyetuar mirë”, tha Tatjana Zdanoka, lituaneze nga të gjelbrit.
“Kjo rregullore, për të qënë tërësisht e sinqertë, ndryshon politikën e plotësuar të BE-së për vizat, ndryshon natyrën e saj. Është transformuar në një instrument shantazhi, veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor, e nëse do përfundojmë duke forcuar diçka, kjo nënkupton se do të forcojmë solidaritetin mes vendeve të pasura, të tilla si Gjermania e Austria”, deklaroi Cornelia Ernst, përfaqësuese gjermane e GUE.
Kjo paketë u negociua për më shumë se një vit, ndërmjet ekspertëve të Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit, dhe pritet të votohet të enjten në seancë plenare, në Strasburg.
Top Channel