Mali, shkelet armëpushimi

12/09/2013 00:00

Trupat qeveritare në Mali janë përleshur me separatistët tuaregë në luftimin e parë që kur të dyja palët firmosën marrëveshjen e paqes në qershor.

Luftimet u verifikuan në qytetin perëndimor të Leres, në afërsi me kufirin e Mauritanisë, duke lënë tre ushtarë të plagosur.

Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për nxitjen e sulmit. Një zëdhënës i ushtrisë maliane ka paralajmëruar se luftime të tilla vënë në rrezik armëpushimin.

Ndërsa një zëdhënës i rebelëve tha për BBC se ushtarët qeveritarë u vendosën në zona të cilat në bazë të marrëveshjes do t’i merrnin ata.

Gjithësesi, ushtria thotë se një grup rebelësh refuzuan të bashkëpunonin me një patrullë ushtarake dhe hapi zjarr i pari.

“Një patrullë ushtarake iu afrua disa personave të armatosur. Ata refuzuan të zbatonin urdhërin e ushtrisë dhe hapën zjarr”, ka deklaruar zëdhënësi i ushtrisë.

Ai ka theksuar se rreziku konsiston se episodi në fjalë mund të vërë në rrezik të tërë marrëveshjen e arritur në qershor dhe shtoi se tre ushtarët kishin marrë plagë të lehta.

Aktet e dhunës vijnë një javë pasi presidenti Ibrahim Boubacar Keita u betua për marrjen e detyrës. Në bazë të armëpushimit, presidenti Keita ka 60 ditë që nga formimi i qeverisë të dielën e kaluar për të nisur bisedimet me rebelët.

Ai ka premtuar një pajtim kombëtar dhe dhënien fund të ciklit të rebelimeve. Rebelët, mes të cilëve bëjnë pjesë separatistët tuaregë dhe militantët islamikë, përfituan nga grushti i shtetit të vitit të kaluar për të marrë nën kontroll një pjesë të mirë të veriut.

Top Channel