Shoqata “Makamtrans”, e cila e ka bllokuar kufirin me Kosovën në pikën e
Bllacës, ka deklaruar se në shenjë të vullnetit të mirë do të
zhbllokojë rrugën për atomjetet nga 30 minuta në çdo dy orë, deri në
zgjidhjen e tërësishme.

Sipas raportimeve të “REL”, përfaqësuesja e Shoqatës së Transportuesve të Maqedonisë, Biljana Muratovska thotë se ky vendim është marë pas sinjaleve pozitive nga politikanët se problemi mes Prishtinës dhe Shkupit rreth këmbimit tregtar mund të zgjidhet.

“Në shenjë të vullnetit të mirë, sot kemi vendosur të bëjmë lëshime të vogla. Ndësa politikanët e njërës dhe anës tjetër negociojnë, ne do të zhbllokojmë akset rrugore për kalimin e atomjeteve nga 30 minuta çdo dy orë, me qëllim që të ulet tensioni i krijuar”, ka deklaruar Muratovska.

Një ditë më parë, përfaqësues të Odave Ekonomike të Maqedonisë u shprehën të gatshëm për bashkëpunim me Kosovën, në mënyrë që të zgjidhet problemi i bllokimit të mallrave të Mqedonisë nga qeveria kosovare.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila priti të mërkurën në takim përfaqësuesit e Odës Veri-perëndimore të Maqedonisë dhe Odës Ekonomike Maqedono-Bullgare.

“Kjo bllokadë nxit dhe provokon situata të palakmueshme, të cilat mund të përshkallëzohen edhe në skandale të tjera, që ndoshta do të duhej që ndërmjetësues të jashtëm të sjellin për të pajtuar dy fqinjë, që mes tyre ishin akorduar shumë mirë kur dëgjohej zëri i biznesit. Kjo, sepse pikërisht bizneset ishin të parat, të cilat hapën urat hyrëse apo urat e bashkimit të politikanëve të të dyja vendeve”, deklaroi Menderes Kuqi nga OEVM.

“Mund t’ju premtoj edhe një herë që me gjithë autoritetin që kam do të përkushtohem të zgjidh problemin në të mirë të qytetarëve”, deklaroi Zore Temelkovsi nga OEMB.

Nga ana tjetër, Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë u bëri thirrje autoriteteve të Republikës së Maqedonisë, por edhe institucioneve ndërkombëtare që të ushtrojnë autoritetin e tyre që taksat hyrëse për shtetasit e Kosovës të vendosura nga Maqedonia të largohen menjëherë, meqë një vendim i tillë nuk ka të bëjë asgjë me çështjet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Top Channel