Kore e Veriut, rihapet centrali bërthamor

12/09/2013 15:40

Shtëllunga ajri janë pikasur nga satelitët mbi impinatin bërthamor të Yongbionit në Korenë e Veriut, çka sugjeron se vendi komunist ka rivënë në punë centralin në gjendje të prodhojë energji elektrike dhe plutonium.

Ngjyra dhe volumi i avullit tregojnë për momentin se reaktori është vënë në punë ose është pranë përfundimit të procesit të rindezjes, të paktën sipas një agjensie amerikane.

Peniani kërcënoi me rifillimin e procesit të punës në centralin e tij më të madh bërthamor, në kompleksin e Jongbionit, pas tensionet me SHBA-në dhe Korenë e Jugut arritën kulmin në muajin prill.

Plutoniumi i prodhuar në central mund të përdoret prej Koresë për të ndërtuar armë bërthamore.

Sipas vlerësimeve të shërbimeve inteligjente amerikane, Peniani ka tashmë në rezervat e tij midis 4-10 armëve bërthamore me rreze të shkurtër e të mesme veprimi.

Jongbioni qëndronte i mbyllur që prej vitit 2007, kur qeveria koreanoveriore pranoi pezullimin e punës, në këmbim të ndihmave dhe përmirësimit të marrëdhënieve me jashtë.

Top Channel