Dy shpërthime pranë një xhamie shiite në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, ka lënë të vrarë të paktën 35 persona, bëjnë të ditur burime zyrtare.
Të paktën 55 të tjerë janë plagosur nga sulmin në distriktin me shumicë shiite të Kasra-s, teksa besimtarët po largoheshin nga xhamia, pas lutjeve të mbrëmjes.
Asnjë grup nuk ka ndërmarrë përsipër përgjegjësitë për sulmin, por dyshimet bien mbi militantët sunitë. Dhuna sektariane ka përgjakur Irakun gjatë muajve të fundit, duke arritur nivelin më të lartë, që prej vitit 2008.
Më shumë se 5 mijë njerëz janë vrarë dhe 12 mijë janë plagosur që prej janarit, sipas shifrave zyrtarë të Kombeve të Bashkuara.
Të mërkurën, një shpërthim me bombë në qytetin verior të Mosulit, që kishte për objektiv një autokolonë policie, vrau një polic dhe plagosi 3 të tjerë.
Situata e përkeqësuar e dhunës vdekjeprurëse gjatë muajve të fundit vjen si pasojë e rritjes së tensioneve sektariane dhe etnike, që arritën kulmin në muajin prill pas sulmit të ushtrisë në kampin e protestuesve anti-qeveritarë në Hawija, kamp me shumicë sunite arabe.
Vendi vazhdon të vuajë edhe një përkeqësim dhune, të ndikuar nga konflikti në Siri, që ka çuar në rritjen e toneve të ashpra mes sekteve fetare.
Top Channel