Indi, tempulli historik rihap dyert

12/09/2013 00:00

Një tempull i famshëm hindu, i dëmtuar rëndë nga përmbytjet në shtetin indian Utarakhand, ka rihapur dyert për besimtarët.

Tempulli në Kedarnath, në rajonin Rudraprajag, është i famshëm për tempullin e tij të Shivës, perëndia indiane e shkatërrimit. Por ai u dëmtua nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në qershor, që përfshinë mbi 4 mijë fshatra në mbarë shtetin.

Qeveria thotë se 528 trupa të pajetë janë rekuperuar pas tërheqjes së ujërave dhe mbi 5.700 persona mbeten të zhdukur. Këta të fundit dyshohet se kanë vdekur dhe familjeve do t’u jepet një dëmshpërblim, deklaroi gjithashtu qeveria.

Përmbytjet dëmtuan tempullin Kedarnath dhe lanë një vijë të gjatë vdekjesh e shkatërrimi në luginën përreth. Mediat lokale njoftojnë se pavarësisht dëmeve, dyerve të prishura të tempullit dhe gurët e mbetur përreth faltores, besimtarët u mblodhën për herë të parë ditën e mërkurë pas përmbytjeve.

Ceremonia nisi me një rit purifikimi dhe një shlyerje faji për ndërprerjen e gjatë të lutjeve në objektin e kultit. Burimet mediatike shtojnë se një vendim për të lejuar ardhjen e pelegrinëve në tempull do të merret më vonë gjatë muajit.

Faltorja e shekullit të tetë ndodhet në majat e Himalajeve dhe është 14 kilometra larg rrugës më të afërt. Çdo verë mijëra besimtarë hindu bëjnë pelegrinazhin në të.

Javën e kaluar, skuadrat e shpëtimit nxorrën nga rrënojat 75 trupa të tjerë, duke e çuar numrin e viktimave në 528.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB