BE: Keqardhje që partitë në Kosovë s’gjetën një figurë unifikuese për president
Një delegacion ekspertësh të trojkës së përbërë nga FMN, BE dhe BQE
mbërrin të enjten në Athinë për të vlerësuar progreset e regjistruara
nga qeveria ndaj angazhimeve të marra ndaj kreditorëve ndërkombëtarë.
Mësohet se gjatë takimit me autoritetet helene, përveç vlerësimit të përmbushjes së reformave do të përgatitet edhe axhenda e bisedimeve për vetë ekzekutivit dhe funksionarëve të Trojkës.
Këta të fundit, që janë danezi Paul Tomsen i FMN-së dhe gjermanët Matthias Mors e Claus Masuch, përkatësisht nga Bashkimi Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, do të vizitojnë Athinën javën e ardhshme, pas mbajtjes së zgjedhjeve në Gjermani.
Reformat që qeveria greke duhet të ndërmarrë për përballimin e krizës së ashpër financiare parashikojnë shkurtime masive në administratën publike dhe reduktim të rrogave e pensioneve.
Më herët gjatë muajit, Instituti i Punës publikoi të dhëna alarmante në raportin vjetor për ekonominë greke. E përditshmja “Eleftherotipia” e krahasoi gjendjen ekonomike të vendit me vitet 1929-1933 të shekullit të kaluar, vitet e “Depresionit të Madh” në SHBA.
Sipas raportit, pagat e grekëve kanë humbur në tre vitet e fundit mbi 37 miliardë euro nga reduktimi i tyre dhe rritja e taksave dhe si pasojë fuqia blerëse është ulur me 37.2%, duke shkuar në nivelet e viteteve 2000.
Përsa i përket papunësisë ajo është kthyer në nivelet e 52 viteve më parë, pra të vitit 1961 dhe vlerësohet se në 2014 do të arrijë në 31.5%.
Ndërsa niveli i jetesës në vitin që vjen do të jetë 50% më i ulët se 6 vjet më parë. Konvergjenca e pagave reale krahasuar me mesataren e BE-së ka shkuar në nivelet e viteve 1980.
Top Channel