Burrneshat e veriut në film

12/09/2013 00:00

Fenomeni i virgjëreshave të betuara të veriut që zgjedhin të jetojnë si burra në krye të familjeve të tyre është subjekti i filmit në prodhim “Burrneshat”, i regjisores italiane Laura Bispuri.

Një bashkëpunim mes të tjerësh i Shqipërisë me “Erafilm”, Italisë dhe  Kosovës. Frymëzuar nga libri i Elvira Dones “Virgjëreshat e përbetuara”, regjisorja sjell historinë e Hanës, interpretuar nga aktorja italo-gjermane Alba Rochrëacher. Një burrneshë nga Valbona, e cila transferohet në Itali, ku dalëngadalë përpiqet të rifitojë feminilitetin e saj. Është pikërisht liria femërore dhe rrugëtimi për ta arritur atë, ajo që zhvillohet nga këndvështrimi i Bispurit, vlerësuar në Itali me çmimin “David di Donatello” për një prodhim të mëparshëm.

“Kam vënë re se fenomeni i virgjëreshave të përbetuara në Shqipëri nuk përbën ndonjë çudi të madhe, ndërsa jashtë Shqipërisë njerëzit habiten me këtë gjë dhe goditet fort kurioziteti i tyre. Protagonistja e filmit do të transferohet në Itali nga malet e Shqipërisë dhe do të jetë një reflektim edhe mbi lirinë e gruas në Itali”, shpjegon Bispuri.

Në stafin ndërkombëtar të aktorëve do të ketë edhe nga Shqipëria e Kosova. Ende të pavendosur saktësisht emrat. Xhirimet do të zhvillohen mes një metropoli italian dhe Valbonës. Ndërkohë, për të kuptuar më mirë botën e burrneshave, Bispuri ka zhvilluar takime me disa prej tyre: “Isha shumë e tensionuar herën e parë që takova njërën prej tyre. Bëra një bisedë të thellë, por nuk ishte e lehtë të bisedoje për disa gjëra. Ka mjafrt ngurtësi nga ana e tyre kur preken tema të caktuara.”

“Burrneshat” ka tërhequr vëmendjen edhe të “Atelier” së Kanës të këtij viti, një vitrinë e rëndësishme e Festivalit të Kanës, që çdo vit zgjedh 15 projekte nga e gjithë bota për t’i ndihmuar në realizimin e tyre. Pesëmbëdhjetëshe ku përfshihet edhe ky film.

Top Channel