Lideri i BDI-së, partisë shqiptare në qeverinë e Shkupit, Ali Ahmeti, paralajmëroi se ngërçi tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës do të tejkalohet shumë shpejt, sepse – siç u shpreh ai, – në këtë drejtim po punohet intensivisht.
“Ka komunikim të vazhdueshëm të autoriteteve të Prishtinës dhe Shkupit dhe shpresoj që shumë shpejt kjo situatë do të mbyllet”, tha Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Nga ana tjetër, lideri i PDSH-së në opozitë, Menduh Thaçi, tha se kriza mes Kosovës dhe Maqedonisë do të lerë pasoja të paparashikueshme në raportet mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Ai tha se kjo situatë dëshmon pafuqinë e partisë shqiptare në pushtet, BDI, për të mbrojtur interesat kombëtare.
“Në vitin 1999 ka pasur një luftë të tmerrshme dhe kufiri nuk u mbyll, në vitin 2001 ka pasur një konflikt dhe kufiri ka funksionuar. Dua të flas drejtpërdrejt me shqiptarët, kjo katërcipërisht e vërtetoi se vota e shqiptarëve për BDI-në është votë e shkuar kot, ata nuk kanë kurrfarë force dhe askush nuk i llogarit në këtë qeveri. Të gjithë shqitparët, që duan të votojnë tani e tutje për BDI-në, duhet të votojnë për VMRO-në. Nuk diskutohet se kjo do të lerë pasoja të rënda mes shqiptarëve dhe maqedonasve, kudo që jetojnë shqiptarët. Është një veprim arbitrar, që i takon shekullit të XV”, u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare.
Ndërkohë, negociatat për zgjidhjen e ngërçit tregtar priten të vazhdojnë edhe të premten, kur palët priten të bien dakord për tejkalimin e situatës së rënduar mes dy vendeve. Nëse ndodh kjo, qeveria e Shkupit, në një mbledhje të jashtëzakonshme, do të duhet të shfuqizojë taksat që u vendosën ditë më parë, për kosovarët që udhëtojnë drejt Maqedonisë.
Top Channel