Kryeministri kosovar Hashim Thaçi bën thirrje që të zgjidhet sa më shpejt situata e krijuar në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Gjatë mbledhjes së qeverisë kryeministri theksoi se situata të tilla nuk i japin imazh të mirë as Kosovës e as Maqedonisë.

Thaçi tha se ai ka biseduar edhe me kryeministrin e Maqedonisë, ku është shprehur shqetësimi për këtë situatë, ndaj edhe kërkoi zgjidhjen e saj sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme.

“Jemi dakorduar që të zhvillojmë takimet në nivel sa më të lartë politik dhe të përmbyllet mundësisht sot ose nesër. Kështu që, në emër të qeverisë së Kosovës të vazhdojnë së diskutuari, zëvendëskryeministri Kuçi dhe zëvendëskryeministrja Kusari-Lila, por me vullnetin që të përmbyllen, sepse nuk është as pamje, as mesazh i mirë as për Kosovën, as për Maqedoninë, as për qytetarët tanë, as për qeveritë tona”, ka thënë Thaçi.

Më tej, kryeministri Thaçi ka theksuar se kjo situatë nuk është fryma evropiane e relacioneve të mira mes dy vendeve. Prandaj, sipas tij, kjo çështje duhet të mbyllet sa më parë që është e mundur. Ndërkohë, ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari Lila ritheksoi se situata në kufirin me Maqedoninë vazhdon të mbetet në pikën zero.

“Zhvillimet në këtë fushë vazhdojnë të mbesin në pozicionin zero, por bisedimet janë duke vazhduar. Këto zhvillime nuk kanë pasur asnjë impakt negativ në tregun kosovar, por angazhimi i qeverisë së Kosovës për tejkalimin e situatës dhe arritjen e marrëveshjes me qeverinë e Maqedonisë do të vazhdojë”, ka thënë Lila.

Gjatë kësaj mbledhjeje kabineti qeveritar ka marrë vendim të aprovojë Marrëveshjen për Telekomunikacionin dhe Marrëveshjen për Energjinë, të arritura në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Top Channel