Siria, Rusia i dorëzon SHBA planin e saj

11/09/2013 00:00

Rusia i dorëzoi Shteteve të Bashkuara planin për vendosjen e armëve kimike të Sirisë në duar të sigurta.

Plani rus për të vendosur nën zotërimin ndërkombëtar të gjithë arsenalin e armëve kimike të Sirisë u bë publik ditën e hënë. Plani u mirëprit pak orë më vonë nga Damasku, ndërsa propozimi arriti të bindë presidentin amerikan, Barack Obama për të vendosur në pritje aksionin ushtarak në Sirisë.

“U dorëzuam partnerëve tanë amerikanë planin për të vendosur nën kontrollin ndërkombëtar armët kimike të Sirisë. Presim që detajet e këtij plani t’i diskutojmë në Gjenevë”, deklaroi një burim nga Ministria e Jashtme ruse për mediat vendase.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan, John Kerry pritet të takohen të enjten në qytetin e Gjenevës për të diskutuar mbi këtë plan. Agjencia e lajmeve Ita-Tass njoftoi se takimi do të jetë dypalësh dhe nuk do të përfshijë Kombet e Bashkuara.

Tashmë, priten diskutime të ethshme në Këshillin e Sigurimit mbi natyrën e një rezolute të këtij institucioni, që nëse nuk do të bllokohej nga Rusia dhe Kina do të bashkonte gjithë komunitetin ndërkombëtar.

Megjithatë ajo që dihet është se si Moska si Pekini janë kundër cdo ndërhyrjeje ushtarake dhe nisur nga kjo mund të themi që rezoluta që mund të kalojë në KS pritet të jetë një dakordësim mes palëve për të vendosur nën kontrollin e OKB-së armët kimike siriane.

Ndërkohë nga terreni raportohet se forcat e regjimit kanë ndërmarrë një ofensivë për të rivënë nën kontroll qytetin e krishterë të Maloulas, i marrë nga rebelët dhe grupet e lidhura me Al-Kaedën gjatë fundjavës.

Flitet për luftime tejet të ashpra dhe viktima nga të dyja frontet që i shtohen bilancit të mbi 100 mijë personave të vrarë që nga nisja e konfliktit.

Top Channel