Rama prezanton programin qeverisës

11/09/2013 19:20

Dita e prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri i dekretuar përkon me ditën kur 12 vjet më parë Shtetet e Bashkuara u sulmuan nga terroristët, gjë që ka bërë që Edi Rama ta nisë qeverisjen me një zotim.

“Ne do të jemi krah për krah Amerikës dhe çdo aleance, që Shtetet e Bashkuara do të ngrenë”, e nisi Rama, fjalimin e parë të tij.

Zotimin e dytë, por të theksuar më fort, edhe për shkak të një mandati të fuqishëm popullor të marrë më 23 qershor, të cilësuar prej tij si dita e dytë më e rëndësishme në historinë pluraliste të Shqipërisë pas marsit të ’92-shit, Edi Rama e ka bërë për drejtësinë.

“Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pagjykuara që janë bërë. Mandati ynë na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, protestuesit e vrarë në bulevard, deputetin e vrarë në oborr, kryekomunarin e vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës. Jo për t’u hakmarrë për të shkuarën, por për të mos i hyrë në hak të ardhmes. Jo për të bërë politikë me drejtësinë, por për të bërë çmos që drejtësia të mos bëhet politikë. Ne nuk kemi mandat për të amnistuar falje pronash, që i janë grabitur popullit me vendime qeverie, apo për të njohur të drejta që pushteti u ka dhuruar në rrugë abuzive klientëve të tij”, theksoi Rama.

Por, këto deklarata të zotit Rama, në fjalimin më të rëndësishëm të jetës së tij – siç e cilësoi ai prezantimin e programit qeverisës në Kuvend – hasën në protestën dhe më pas bojkotin e opozitës, iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha që, megjithëse mban vetëm postin e deputetit tani, ishte modeli që u ndoq edhe nga deputetët demokratë.

Por, pavarësisht se grupi parlamentar demokrat ka të tjerë drejtues, ishte po zoti Berisha që foli për mediat mbi bojkotin parlamentar, veprim që aq shumë e pati dënuar pas zgjedhjeve të 2009-s.

“Ne erdhëm dhe ishim këtu, por ne nuk mund të dëgjonim koprolalinë e një njeriu të papërgjegjshëm, i cili fillon dhe mbaron me humbësin e qeverinë e tij, në një kohë kur shqiptarët po presin, pasi ata folën… Asnjë demokrat nuk mund të qëndronte aty, duke dëgjuar një sharës ordiner ndaj tyre, ndaj popullit demokrat”, u shpreh Berisha.

Por, nuk pati mbështetjen e të gjithë aleatëve në vendimin për bojkot dhe as të grupit të tij parlamentar. Ish-deputeti socialist, Gjovalin Kadeli, pjesë e grupit të PD-së tashmë, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, dhe grupi i PDIU-së kanë qëndruar në sallën e Kuvendit, pas largimit të demokratëve.

Bojkoti i fjalimit të kryeministrit të dekretuar nga demokratët, nuk u pa e arsyeshme as nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në deklaratën e bërë pas përfundimit të seancës.

“Ne ishim këtu për të dëgjuar programin qeverisës dhe e bëmë këtë. Unë besoj se pak mirësjellje nuk do t’i bënte dëm askujt”, deklaroi Arvizu.

Premtimet për 4 vitet e ardhshme
Rama: Asnjë tërheqje nga fjala që u dhamë qytetarëve në fushatë

Pavarësisht largimit të opozitës nga Kuvendi, kryeministri i dekretuar Edi Rama u ka garantuar kundërshtarëve politikë se, qeverisja e tij do të nisë pikërisht nga respektimi i fjalës së lirë në tempullin e demokracisë, ku do të marrë fund një herë e përgjithmonë – tha ai – arbitrariteti i sjelljes ndaj opozitës.

Hartimi i programit qeverisës i është përmbajtur pikë për pikë premtimeve të fushatës – tha Rama – duke nisur nga krijimi i partneritetit me biznesin.

“Ka mbaruar më 23 qeshor pushteti i një klientele, që diktoi për vite të tëra se kush qenë të paktët, që duhej të ngroheshin në diell, rëndom pa i dhënë hesap askujt, e kush të shumtët, që u mbetej për hise rrebeshi i gjobave, rryshfeteve, padrejtësive”, tha Rama.

Të gjithë skeptikëve për shëndetësi falas, kryeministri i zgjedhur iu drejtua:

“Unë i qëndroj plotësisht zotimit, që kemi marrë, dhe ky mandat do të jetë ai i një reforme radikale në shëndetësi. Ne do të themelojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor, që do ta blejë shërbimin nga shteti dhe do ta ofrojë pastaj atë, pa sigurime shëndetësore dhe as parà në dorë, për të gjithë, pa dallim. Sigurisht që shëndetësia kushton, pyetja është kush paguan? Dhe përgjigja është: Jo ata që s’kanë, por e gjithë shoqëria për këdo që ka nevojë”, theksoi Rama.

Arsimtarëve dhe nxënësve, Edi Rama u tha se, në programin qeverisës të së majtës, do të ndryshojë fytyra e institucioneve të dijes, përmes rritjes së cilësisë dhe rritjes së shërbimeve në to, reformë kjo, që do të nisë nga fenomeni më i dënueshëm i këtyre viteve, politizimi i shkollës.

“Do të jetë gati, po ashtu, të dalë pas 4 vjetësh përpara çdo mësuesi e nxënësi, me krenarinë që koha e dhunës psikologjike për t’i kthyer ata në skllevër të partisë në pushtet. Koha e kryeministrit, që ju futet në oborr e nëpër klasa për të sharë opozitën para kalamajve, koha e drejtorëve që mbyllin shkollat, për t’i marrë me pahir si bagëti në mitingjet e barinjve të qeverisë, do të ketë mbetur vetëm një ëndërr e keqe, që u tret në ditën e 23 qershorit”, garantoi Rama.

Fshati dhe fermerët do të kenë në krah qeverinë, ishte një tjetër kapitull, ku u ndal prezantimi i kryeministrit.

“Duke filluar menjëherë nga puna për të përmbushur zotimin e dhënies së çertifikatës së pronësisë mbi tokën të gjithë atyre që u takon me ligj. Ne do t’ua japim në bazë të 7501-shit”, tha Rama.

Duke e vlerësuar rritjen e krimit në vend, si të pakrahasueshëm me asnjë rast tjetër, Edi Rama u zotua për vendosjen e sigurisë në vend.

“Kush cënon individë dhe prona, publike apo private, ka cënuar shtetin dhe do të ketë përballë, jo më një tufë laramane uniformash qesharake, por Policinë e Shtetit shqiptar”, deklaroi Rama.

I vetëdijshëm se reformat rrënjësore institucionale, siç ai premton, kanë kosto dhe ekonomia është në situatë tejet kritike, Edi Rama tha se ekzaminimi i saktë i saj nga një institucion ndërkombëtar do të jetë hapi i parë.

“Prandaj dhe po përgatitemi për të biseduar nga afër me FMN-në, jo domosdoshmërisht për të nisur një program të ri me to, por për të kuptuar deri në fund, se sa më e thellë nga ç’duket është kriza”, u tha më tej.

Për të gjitha këto zotime, Edi Rama i bëri apel opozitës të jetë përballë qeverisë, për të kërkuar zbatimin e të gjitha premtimeve, ndërsa qytetarëve u kushtoi mesazhin përmbyllës në fjalimin, më shumë se një orë të gjatë, e prezantimit të programit.

“Ndryshimi nuk do të vijë, as brenda një nate, as brenda një viti. Por, puna për Rilindjen e projektuar në këtë program nuk do të rreshtë asnjë minutë dhe Rilindje do të jetë”, ka përfunduar Rama.

***

Fragmente nga fjalimi i plotë i Ramës

“Të vrarët e 11 shtatorit 2001 janë edhe të vrarët tanë. Të vrarët e 21 gushtit me armë kimike në Siri janë edhe të vrarët tanë. Luftërat kundër armiqëve të errësirës do të jenë edhe luftrat tona. Sepse ky armik ka dalë nga errësira më e thellë jo për të vrarë e goditur një vend, por për të shkatërruar mbarë botën e mirë dhe ekzistencën tonë. Ne do jemi përkrah çdo fushate ushtarake të SHBA kundër kasapit të Damaskut”, ka deklaruar Rama.

“Ne, fituesit, duhet të mos harrojmë për asnjë çast se fitoren e 23 qershorit, si atë të marsit 92, nuk e solli dëshira për të ndërruar personat. Përmasën historike të fitores sonë e përcaktoi dëshira për të ndryshuar 100% Shqipërinë”, ka deklaruar Rama, i cili i ka drejtuar një mesazh edhe opozitës, duke premtuar një jetë të re parlamentare.

“I them opozitës se marr përsipër përgjegjësinë që asaj të mos i mungojë asgjë në veprimtarinë parlamentare. Ftoj të gjithë të mbizotërojë cilësia e bashkëjetesës. T’i ngremë Shqipërisë kokën lartë. Do t’i japim për 4 vjet me radhë kuptim jetës parlamentare. Ne do dialogojmë dhe do dëgjojmë propozimet e opozitës për të marrë vendimet e duhura”, ka thënë Rama.

“Ministrat tanë do të punojnë për qytetarët. Ata nuk do të jenë në kontakt me deputetët, në mënyrë që të jenë sa më pranë detyrës së tyre. Me modelin e qeverisjes britanike, ky vend do të ngrejë kokën lartë”, ka thënë Rama.

“Ne jemi këtu për të qeverisur me forcën e shembullit. Shqipëria nuk e meriton korrupsionin dhe kriminalitetin. Varfëria dhe papunësia do të jenë armiqtë tanë. Në mbylljen e këtij mandati do të mbyllet edhe saga e etjes për ujë në zonat rurale. Ne do legalizojmë ndërtimet e bëra për të lehtësuar jetën familjare dhe jo vilat e godinat abuzive të ndërtuara në bregdet apo për biznes. Ju sigurojmë se do të zbatojmë taksimin e ndershëm: kush fiton më shumë paguan më shumë, kush fiton më pak paguan më pak. Ne do zhvillojmë një gjeneratë të re biznesi. Do të hapim një kapitull të ri. Qeveria nuk do të bëjë ortakëri me biznesin e as klientelë me të. Biznesi do të jetë vetëm partner. Ne do sjellim programin e ri shëndetësor. Shteti do të blejë shërbimet shëndetësore. Pa sigurime shoqërore, por me rrugë alternative. Ne do ndryshojmë shërbimin në dogana dhe tatime dhe do të heqim ryshfetin”, ka premtuar Rama.



“Nuk kemi mandat të harrojmë krimet që janë bërë. Nuk do harrojmë qytetarët e vrarë në Gërdec, politikanin e vrarë në oborr, ata të vrarë në bulevard dhe komisarët e vrarë në krye të detyrës. Ne do të krijojmë kushtet që policët dhe prokurorët të bëjnë detyrën e tyre. Mandati nuk na është dhënë për të amnistuar krimet. Mandati na është dhënë për të bërë transparencë të plotë për krimin ekonomik dhe katrahurën e bërë me pronat private, për të mos lejuar që çfarë është bërë keq për vendin të bëhet edhe më keq, në dëm të njerëzve të pambrojtur”, ka vijuar Rama.
  

Berisha: Programi, një retorikë banale

Në momentin kur Rama ndodhej nga mesi i fjalimit, gjatë të cilit kritikoi ekzekutivin e mëparshëm, parardhësi i tij Sali Berisha ka braktisur sallën e parlamentit bashkë me Jozefina Topallin, kreun e grupit parlamentar Edi Paloka dhe gjithë deputetët demokratë. Duke folur për mediat jashtë sallës së Kuvendit, Berisha e ka cilësuar si një “retorikë banale” fjalimin e Ramës, që sipas tij ishte shumë larg prezantimit të një programi konkret.

“Ne erdhëm që të gjithë, por në vend të programit dëgjojmë një retorikë banale, kryekëput kundër opozitës, sikur ai të ishte në opozitë dhe ne në qeveri. Programi është fund e krye një ligjëratë bajate e një OJQ-je familjare. Nuk kishte hapësirë për të ndjekur ligjëratën paranojake të një piktori dështak, që sot flet në emër të qeverisë. Fjalimi i Ramës dëmton 11 shtatorin e Nju Jorkut dhe nderon 11 shtatorin e Pinoçetit”, ka thënë Berisha.

I pranishëm nga opozita në sallën e Kuvendit mbeti vetëm Dashamir Shehi. Seanca e radhës do të mbahet ditën e shtunë, sipas njoftimit të kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, ku do të ketë debate mbi programin qeverisës të ekzekutivit të majtë.

Arvizu: Bojkoti i opozitës, i pajustifikueshëm

Ndërkohë, në përfundim të seancës, ambasadori amerikan Alexander Arvizu ka kritikuar veprimin e mazhorancës që bojkotoi seancën. “Nuk ka pasur asnjë arsye që opozita të braktiste seancën ku po prezantohej programi qeverisës”, ka thënë Arvizu në një prononcim të shkurtër për mediat.

Ditën e hënë, pas seancës së parë plenare të legjislaturës së re, diplomati amerikan deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë prisnin bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës së re.

“Dëshiroj t’i shpreh parlamentit të ri përgëzimet më të sinqerta në emër SHBA-ve, të 140 deputetëve të sapozgjedhur të Kuvendit të ri. Nuk e mbaj mend saktësisht, por 40% janë të rinj dhe 40% prej tyre po rikthehen.

Gjithashtu, jemi shumë të kënaqur me numrin e grave, të cilat janë zgjedhur si deputete, përfshi ato që do të shërbejnë në qeveri. Kjo është një ditë për t’u festuar prej gjithë popullit shqiptar.

Përpara ka shumë punë për t’u bërë. Të gjithë sytë do të nguliten te qeveria, sigurisht, por edhe te zhvillimet këtu në parlament. Presim me kënaqësi të shohim zhvillimin e debateve konstruktive, të sinqerta për axhendën europiane të vendit”, tha Arvizu. 

Vasili: PD të kundërshtojë në Kuvend

Shtyrjen e debatit mbi programin e qeverisë Rama për në fundjavë dhe atij që po quhet si bojkoti i parë i opozitës, e komentoi kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, zoti Petrit Vasili.

Lidhur me debatin e lënë për të shtunën dhe të dielën, që kreu i PD-së, Lulzim Basha më herët gjatë ditës e cilësoi si fitoren e parë të opozitës, zoti Vasili tha se nuk bëhet fjalë për fitoren apo humbjen e askujt, por për vendosjen e një fryme të re në punën parlamentare.

“S’bëhet fjalë as për betëja as për pushtime, por meqë frymëzohet kreu i PD, them se bëhet fjalë për dialogun parlamentar. Kryetari Kuvendit Ilir Meta eksploroi të gjitha mundësitë kushtetuese për të krijuar maksimumin e hapësirave opozitës për të diskutuar, ndonëse për një opozitë që flet për fitore. Kjo është fitore e një vizioni të ri në punën e parlamentit”, tha Vasili.

Vasili dënoi largimin nga salla të deputetëve të Partisë Demokratike. Ai tha se opozita ka të gjitha hapësirat e nevojshme për të kundërshtuar programin apo qeverinë në Kuvend dhe se këto hapësira nuk do t’i mungojnë as në ditët në vazhdim.

“Besoj që seanca ka vazhduar normalisht. Opozita ka të gjtiha hapësirat për ta kundërshtuar pozitën. Le të kujtojme që me bojkotin…një nga korifejtë kundër bojkotit ka qenë edhe zoti Berisha. Ditët që vijnë ka mundësi pa fund për opozitën për të mos pranuar apo për të kundërshtuar. Jemi në një demokraci që ka krijuar të gjitha hapësirat për të funksionuar”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.

Largimin e PD-së nga salla e Kuvendit e dënoi edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu. Ai tha se nuk ka patur asnjë arsye për opozitën që të braktiste dëgjimin e programit qeverisës, madje për këtë nuk kurseu as ironitë.

“Besoj që kortezia në të tilla raste nuk do të dëmtonte askënd”, tha ambasadori amerikan. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA