Obama: Sulmi i kufizuar, i vetmi mesazh

11/09/2013 04:00

I përballur me një mbështetje të dobët për sulme ushtarake të Amerikës në Siri, presidenti Barack Obama tha se plani i sugjeruar nga Rusia, në lidhje me detyrimin e Sirisë që të vendosë nën kontrollin ndërkombëtar të arsenalit kimik të saj e më pas shkatërrimin e tyre, mund të shmangë ushtrimin e forcës vetëm “nëse do të jetë real”.

Kryeministri i Sirisë tha gjatë ditës së martë se Damasku e mbështet iniciativën e Rusisë.

Mbrëmjen e së martës, Obama iu drejtua Dhomës Lindore të Shtëpisë së Bardhë, duke mbajtur një fjalim përpara kombit në lidhje me krizën siriane. Ai dha në vija të përgjithshme arsyet se “pse është i rëndësishëm zgjidhja e këtij problemi dhe ku do të shkojë Amerika pas këtij veprimi”.

Obama theksoi se i kishte rezistuar thirrjeve për ndërhyrje ushtarake në Siri, “sepse nuk mund ta zgjidhim ne luftën civile të një tjetër kombi përmes forcës”. Por, situata “ndryshoi thellësisht më 21 gusht”, kur u shfaqën ato imazhe “tmerruese” si pasojë e përdorimit të armëve kimike.

Presidenti i SHBA-ve nënvizoi se provat çuan në konkluzionin se ishte regjimi i Assad, ai që kishte përdorur armët kimike. “Këto gjëra kanë ndodhur, faktet nuk mund të mohohen”. Tashmë, sipas tij, çështja është se “për çfarë janë të përgatitur të bëjnë” SHBA-të dhe komuniteti ndërkombëtar në lidhje me Sirinë.

Obama u shfaq i vendosur se Amerika duhet t’i përgjigjet ushtarakisht Assad-it, në mënyrë që të shmangin veprime të tjera në të ardhmen prej tij, të degradojnë aftësitë e tij dhe t’i bëjnë të qartë se SHBA-të nuk do të tolerojnë kurrë më përdorimin e armëve kimike.

“Ky është gjykimi im, si komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosur”, tha ai. Por, si president i demokracisë kushtetuese më të vjetër në botë, ai pa të arsyeshme gjithashtu që vendimin ta merrte së bashku me mbështetjen e Kongresit.

Duke adresuar kritikat kundër një sulmi të mundshëm ushtarak, përfshi shkrimin e një veterani që i kishte shkruar presidentit duke i thënë se “ky komb është i sëmurë dhe i lodhur nga luftrat”, Obama u përgjigj se ai ka vendosur që “të mos fusë trupa ushtarake amerikane në terrenin sirian”, “të mos ndërmarrë një luftë të hapur” dhe “të mos nisë një sulm ajror të pakufizuar në kohë”. Përkundrazi, sipas tij “do të jetë një sulm me objektiva të qarta”.

“Tashmë, disa anëtarë të Kongresit kanë thënë se nuk ka aspak kuptim të ndërmarrim një sulm ‘si të shponim me gjilpërë dikë’ në Siri”- tha Obama. – Më lejoni të qartësoj diçka: Ushtria e Shteteve të Bashkuara nuk bën kurrë vrima gjilpëre. Vetëm një sulm i kufizuar ajror do t’i dërgonte një mesazh të qartë Assad-it, të cilin nuk mund t’ia dërgojë asnjë komb tjetër”.

Obama shtoi se është i të njëjtit mendim se SHBA-të nuk duhet të jenë polici i botës, ndaj dhe “preferoj thellësisht një zgjidhje paqësore”, por një gjë të jetë e qartë: “SHBA-të nuk bëjnë vrima gjilpëre”.

Obama komentoi më pas propozimin e Rusisë, duke thënë se është ende herët për të thënë, nëse përpjekjet e fundit diplomatike do të kenë sukses, por tashmë ekziston mundësia që Siria të heqe dorë nga armët kimike “pa ushtruar forcë”. Si pjesë e këtyre përpjekjeve, ai tha se i kërkoi Kongresit të shtyjë votimin për sulmin amerikan dhe se do të dërgojë John Kerry-n, Sekretarin amerikan të Shtetit, të takohet me Lavror gjatë kësaj jave.

Obama vuri në diskutim se në çfarë lloj bote do të kishim jetuar, nëse do të rrinim duke parë një lider në botë të shkelte ligjet ndërkombëtare të luftës me përdorimin e gazit helmues dhe armëve kimike në përgjithësi.

Elijah Cummings, përfaqësues i demokratëve nga Maryland, i cili është ende i pavendosur në lidhje me sulmin ushtarak, tha se presidenti dha “një argument të rëndësishëm e moral”, sidomos kur përmendi faktin se trupat ushtarake amerikane mund të sulmohen me gaz vdekjeprurës.

Top Channel