Koretë rihapin kompleksin më 16 shtator

11/09/2013 03:00

Dy Koretë, e Veriut dhe Jugut, kanë rënë dakord të rihapin parkun industrial të përbashkët për një periudhë prove, duke nisur nga java e ardhshme, afro 5 muaj nga mbyllja e tij. Lajmi bëhet i ditur nga një deklaratë për shtyp e lëshuar nga Ministria e Unifikimit, në Korenë e Jugut.

Kompleksi industrial në Kaesong shihet si një simbol kyç i bashkëpunimit ndërmjet dy Koreve. Sipas deklaratës për shtyp, “kompanitë do të rifillojnë operimin nga 16 shtatori, për një periudhë prove”.

Data është përcaktuar pas disa orësh negociata mes dy palëve. Kompleksi u mbyll në prill, me urdhër të Koresë së Veriut, në prag të rritjes së tensioneve ushtarake mes dy shteteve.

Korea e Veriut dëboi punëtorët koreano-jugorë dhe pezulloi aktivitetin në zonën e përbashkët, e cila shtrihet në pjesën veriore të zonës së çmilitarizuar ndërmjet dy Koreve.

Por, që prej asaj kohe, tensionet janë sheshuar dhe Veriu, përgjithësisht befasues dhe tepër sekret në vendimmarrje, lejoi një kontigjent të madh mediash perëndimore të mbulonin 60-vjetorin e armëpushimit, që i dha fund luftës ndërmjet Koreve në 1953.

Më 14 gusht, dy palët arritën një marrëveshje prej 5 pikash për të rihapur kompleksin. Si pjesë e marrëveshjes, të dy qeveritë thanë se veprimtaria e zonës industriale nuk “do të ndikohej më nga situata politike, në çfarëdo lloj rrethane”.

Marrëveshja bënte thirrje gjithashtu për një panel të përbashkët, që do të diskutonte rreth kompensimit të kompanive koreano-jugore, të dëmtuara pas mbylljes së kompleksit.

Zona e ndërmjetme, e cila u përurua 9 vjet më parë, konsiderohet si një burim i rëndësishëm i monedhës vendase, sidomos për regjimin e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Rreth 53 mijë koreano-veriorë punonin në më shumë se 120 kompani koreano-jugore në kompleks. Ai prodhon qindra-miliona dollarë të mira materiale çdo vit.

Top Channel