Egjipt, dy sulme kamikaze shënjestrojnë ushtrinë

11/09/2013 16:15

Të paktën gjashtë ushtarë mbetën të vrarë, në një sulm të dyfishtë vetvrasës të ndodhur në gadishullin e Sinait në Egjipt, lajmëruan të mërkurën burime zyrtare.

Dhjetë ushtarë të tjerë e shtatë civilë mbetën të plagosur, nga shpërthimi i ndodhur pranë një godine qeveritare në Rafah, pranë një postoblloku.

Një zëdhënës i qeverisë fajësoi “elementët terroristë islamikë” për këto sulme.

Aktualisht, ushtria egjiptiane që ka marrë kontrollin që prej muajit korrik është duke realizuar një operacion të gjerë ushtarak në Sinai, kundër militantëve të lidhur me Al-Kaedën dhe rryma të tjera radikale sunite.

Egjipti, vendi më i madh i Afrikës Veriore, shtëpi e 84 milionë banorëve, është përfshirë nga kaosi që prej dy muajsh, si rrjedhojë e protestave në fillim kundër presidentit Morsi dhe më pas kundër ushtrisë, organizuar prej mbështetësve të Vëllazërisë Muslimane pas largimit me forcë të presidentit të zgjedhur me votë në fillim të korrikut.

Sipas shifrave zyrtare, me qindra persona kanë mbetur të vrarë në përballjet e dhunshme të manifestuesve me policinë.

Më parë gjatë javës, një grup i lidhur me Al-Kaedën në Sinai organizoi një atentat të dështuar ndaj ministrit të Brendshëm në Kajro.

Top Channel