E shitën për 2 mijë euro, 8-vjeçarja vdes pas martesës

11/09/2013 00:00

Rastet e fëmijëve-nuse në Jemen vazhdojntë tmerrojnë organizatat për të drejtat e njeriut dhe UNICEF.

Viktimë e radhës ishte një 8-vjeçare nga provinca tribale e Hardhit. Lajmi është njoftuar fillimisht nga reporteri i pavarur vendas, Mohammed Radman e më pas është konfirmuar edhe nga Qendra Jemenase e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe UNICEF, ndërsa autoritetet lokale mohojnë.

Sipas raportimit të Radman, 8-vjeçarja është shitur për 2 mijë euro nga njerku i saj, (i ati i kishte vdekur) tek një burrë saudit 40 vjeç. Pas natës së parë të martesës, ajo ka gjetur vdekjen si pasojë e një hemoragjie të brendshme. Ajo që ka ngjallur zemëratë tek një pjesë e opinionit vendas dhe tek organizmat ndërkombëtarë të mbrojtjes së fëmijëve është fakti se autori është lënë i lirë dhe ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë.

Fatin tragjik të 8-vjeçares e kanë patur edhe shumë minorene të tjera në Jemen, ndërsa pak muaj më parë ajo që denoncoi “traditën” dhe që solli në qendër të vëmendjes martesat e tilla ishte Nada al-Ahdal, 11-vjeçarja që u arratis nga shtëpia e saj për t’i shpëtuar martesës me një të moshuar.

“S’mund të jetoj më me ta. Dua të shkoj të jetoj me xhaxhain tim. Cfarë u bë me fëmijërinë? Ku kanë gabuar fëmijët? Pse duhet të martohen në të tillë mënyrë? Unë ia dola të zgjidh problemin tim, por shumë vajza të tjera s’mund t’i zgjidhin këto dhe ato rrezikojnë të vdesin, të kryejnë vetëvrasje. Ato janë thjesht fëmijë të pafajshëm që s’dinë asgjë. Nuk kanë kohë për të studiuar. Nuk është faji ynë dhe unë nuk jam rasti i vetëm. Kjo mund t’i ndodhë cdo vajze të vogël”, thotë ndër të tjera 11-vjeçarja në videon e postuar në Youtube që tashmë ka prekur miliona klikime.

Top Channel