Përfaqësues të Odave Ekonomike të Maqedonisë janë të gatshëm për bashkëpunim me Kosovën, në mënyrë që të zgjidhet problemi i bllokimit të mallrave të Mqedonisë nga qeveria e Kosoves.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila priti të mërkurën në takim përfaqësuesit e Odës Veriperëndimore të Maqedonisë dhe Odës Ekonomike Maqedono-Bullgare.

“Kjo bllokadë nxit dhe provokon situata të palakmueshme, të cilat mund të përshkallëzohen edhe në skandale të tjera, që ndoshta do të duhej që ndërmjetësues të jashtëm të sjellin për të pajtuar dy fqinjë, që mes tyre ishin akorduar shumë mirë kur dëgjohej zëri i biznesit. Kjo, sepse pikërisht bizneset ishin të parat, të cilat hapën urat hyrëse apo urat e bashkimit të politikanëve të të dyja vendeve”, deklaroi Menderes Kuqi nga OEVM.

“Mund t’ju premtoj edhe një herë që me gjithë autoritetin që kam do të përkushtohem të zgjidh problemin në të mirë të qytetarëve”, deklaroi Zore Temelkovsi nga OEMB.

Nga ana tjetër, Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë u ka bërë thirrje autoriteteve të Republikës së Maqedonisë, por edhe institucioneve ndërkombëtare që të ushtrojnë autoritetin e tyre që taksat hyrëse për shtetasit e Kosovës të vendosura nga Maqedonia të largohen menjëherë, meqë një vendim i tillë nuk ka të bëjë asgjë me çështjet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Anulimi i një vendimi të tillë do të krijonte hapësirën e nevojshme për të dyja palët që të ulen dhe negociojnë për zgjidhjen e mospajtimeve dhe tejkalimin e situatës momentale.

Top Channel