Dalin videot e dëshmive të Bill e Hillary Clinton në Kongres për lidhjen me Epstein: E vërteta e fotos në vaskë, biseda me Donald Trump për financierin Siria ka deklaruar se pranon propozimin e Rusisë për të vendosur
arsenalin e armëve kimike në dispozicion të komunitetit ndërkombëtar.
“Ne patëm një bisedë shumë të frytshme me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov ditën e hënë dhe ai propozoi një iniciativë që ka të bëjë me armët kimike. Dhe në mbrëmje ne e pranuam atë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm sirian Walid Muallim, që ndodhet në Moskë.
Ai ka shtuar se kjo do të zhbëjë themelet për një agresion ushtarak nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më herët gjatë ditës, qeveria franceze deklaroi se do të çojë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të vendosur armët kimike të Sirisë nën kontroll ndërkombëtar, në mënyrë që ato të shkatërrohen.
Ministri i Jashtëm Laurent Fabius deklaroi në një konferencë për shtyp se rezoluta parashikon pasoja “jashtëzakonisht serioze” nëse Siria shkel kushtet e saj.
Zoti Fabius nënvizoi se rezoluta, e bazuar në pesë pika, do të kërkojë që Siria “të nxjerrë tërësisht në dritë” programin e saj të armëve kimike, si dhe të lejojë inspektimet ndërkombëtare për shkatërrimin e tyre.
Rezoluta do të parashtrohet në bazë të Kapitullit 7 të kartës së Kombeve të Bashkuara për aksione të mundshme ushtarake dhe jo ushtarake për vendosjen e paqes, tha zoti Fabius.
Ai shtoi se plani ishte diskutuar më parë, por është avancuar për shkak të presioneve të ushtruara në javët e fundit. Më herët gjatë vitit Rusia ka bllokuar të gjitha përpjekjet e udhëhequra nga Franca në Këshillin e Sigurimit për një rezolutë kundër sirisë.
Si Franca ashtu dhe Shtetet e Bashkuara janë të matura përsa i përket një loje me stil iraken, të tipit “macja me miun”, por ato janë të gatshme t’i japin një shans propozimit të Moskës.
Ajo që Franca dëshiron të shmanget, tha më tej shefi i diplomacisë së Parisit zyrtar, është një plan që shërben si taktikë për të vonuar proceset, prandaj dhe të gjitha opsionet, përfshirë kërcënimin me një sulm, do të mbeten mbi tryezë.
Top Channel