Siria, ish-Sekretari i Shtetit mbështet Obama-n

10/09/2013 00:50

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, tha në një nga emisionet më të ndjekura të CNN, të drejtuar nga Christiane Amanpour, se pavarësisht nga një heshtje e gjatë, ai tashmë del në mbështetje të një sulmi të kufizuar ushtarak në Siri.

“Kam qenë kundër ndërhyrjes ushtarake të Amerikës dhe e kam thënë publikisht këtë”, tha Kissinger, gjatë një interviste në New York. “Ky rast, gjithsesi, është një përdorim armësh të shkatërrimit në masë, që krijon pasoja përtej Sirisë. Për këtë arsye, si dhe për qëllimin e kufizuar të penalizimit të përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, dal në mbështetje të kërkesës së presidentit Obama”.

Kissinger tha se do të nxisë Kongresin, të autorizojë kërkesën e presidentit amerikan për të përdorur forcën, me sa mundësi të ketë.

“Do të ishte shumë më e lehtë, nëse kjo kërkesë do të kishte votën formale të OKB-së, – tha Kissinger. – Por, si zgjidhje të fundit dhe nëse çështja është e rëndësishme, Shtetet e Bashkuara mund të veprojnë me të vërtet për hir të të gjithëve”.

“Ne s’mund të jemi polici i botës, – tha ai për Amanpour, – por mund të jemi zgjidhja e fundit për botën”.

Pavarësisht mbështetjes së tij për një ndërhyrje të Amerikës, Kissinger tha se kishte qenë i shqetësuar nga vendimi surprizues i presidentit Obma, për ta çuar propozimin e tij përpara Kongresit, në vend që të vepronte pa miratimin e tij, siç bëri presidenti në Libi (edhe pse me mbështetjen e Këshillit të Sigurisë në OKB).

“Mendoj se ishte e papërgjegjshme ta hidhje atë për votim në Kongres, – tha Kissinger. – Të krijon impresionin se presidenti nuk e ka realisht autoritetin për të vepruar, për sa kohë që nuk i miratohet kërkesa në Kongres, ndaj dhe për këtë arsye ka vonesa të konsiderueshme, për shkak të diskutimit në Kongres”.

Presidenti Obama, nga ana e tij, kur shpalli vendimin për të çuar propozimin e tij në Kongres pranoi se kishte autoritetin për të vepruar pa mbështetjen e Kongresit, por tha se besonte që një ndërhyrje do të ishte shumë herë më “e fortë” dhe më “efektive” me mbështetjen e Kongresit.

Kissinger paralamëroi se alternativa shumë e mundshme, që presidentit Obama t’i refuzohet kërkesa për autorizim nga Kongresi, do të shënonte një precedent tepër të rëndë.

“Do të ishte e rrezikshme për botën, nëse presidenti i SHBA-ve do të zmbrapsej në një çështje, që ai e konsideron si tepër të rëndësishme, për të cilën ka nisur edhe një fushatë bindëse”, tha ai.

Presidenti Obama synon të ndërmarrë një veprim të njëanshëm, pa mbështetjen e Këshillit të Sigurisë në OKB, për shkak të mbështetjes që i ka dhënë presidentit Assad qeveria e Rusisë, një vend me të cilin Kissinger ka një eksperiencë të madhe si Sekretar Shteti gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

“Putin është një njeri, i cili kërkon të rifitojë pak respekt për Rusinë”, tha Kissinger. “Por, ai vjen nga një vend, i cili e ka për traditë të tregojë muskujt. Kështu që, shpesh herë, sjellja e tij është konfrontuese”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA