Shqipëria është më afër se kurrë për serbët, por gjithsesi mbetet ende larg dhe vështirë për të udhëtuar.
Ndërkaq, në aspektin politik, Prishtina është gjithnjë në mes. Në një konferencë në Beograd, ekspertë të politikës dhe politikanë kanë theksuar se, sa herë që hapet çështja shqiptare, hapet edhe çështja e serbëve në rajon.
Për Oliver Ivanoviç, politikanin nga Mitrovica, ideja më e mirë është që, politikisht, rruga e Serbisë të jetë Prishtina, e më pas të kalohet në Tiranë. Por, këtu, rolin më të madh mund ta ketë ekonomia dhe ndryshimi i gjeneratave.
“Shqipëria është një potencial i madh ekonomik për Serbinë, edhe pse kjo nënvlerësohet, edhe pse janë 3,5 milionë blerës. Serbia ka arritur maksimumin me tregjet në Bosnje dhe Mal të Zi, por prodhimet, ushqimet, mund t’i dërgojmë në Kosovë, një pjesë të madhe edhe në Shqipëri”, tha Oliver Ivanoviç.
“Është e vështirë që, në moshën tonë, t’i ndryshojmë paragjykimet. Por, për gjeneratat që po vijnë, s’ka pse duhet të dallojë mendimi i tyre për shqiptarët, në krahasim me grekët, pasi gjuhën e asnjërit komb nuk e kuptojmë. Është ndryshe me vendet sllave, por kjo situatë do të ndryshojë pas dhjetë vjetësh”, theksoi Zoran Ostojiç, deputet liberal në Kuvendin e Serbisë.
Serbia shpesh ka kërkuar të anashkalojë Kosovën, në mënyrë që problemin e saj ta përkthejë si problem me shqiptarët, por në përgjithësi marrëdhëniet me Shqipërinë kurrë nuk i ka avancuar.
Top Channel