Obama: Përparimi, i mundshëm me Sirinë

10/09/2013 02:10

Propozimi i Rusisë për Sirinë, sa i përket vënies së armëve kimike nën kontrollin ndërkombëtar, ishte një “zhvillim potencialisht pozitiv”, por mund të jetë edhe një taktikë frenuese, tha presidenti Barack Obama gjatë së hënës.

“Ne do ta marrim parasysh këtë zgjidhje”, tha Obama në intervistën e dhënë për CNN, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me aleatët e Sirisë, Rusinë, dhe komunitetin ndërkombëtar “për të parë nëse mund të arrihet diçka të zbatueshme dhe serioze”.

Përparim në horizont?

Obama tha se propozimi i ri, i shfaqur gjatë së hënës nga Rusia, vjen si pasojë e kërcënimit amerikan për të sulmuar Sirinë për shkelje të ndalimit ndërkombëtar të përdorimit të armëve kimike, që administrata e tij pretendon se ka ndodhur më 21 gusht në periferitë e Damaskut.

Ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin, folën rreth armëve kimike të Sirisë, teksa Shtetet e Bashkuara ushtruan presion për një përgjigje ushtarake ndaj regjimit të Assad, në samitin e G20 në Shën Pjetërburg të Rusisë.

“Nuk kemi parë të tilla xheste deri më tani, – tha presidenti. – Fakti që administrata amerikane dhe unë si president kemi thënë se e kemi seriozisht këtë çështje, mendoj se ka nxitur disa biseda interesante”.

Propozimi rus mund të çojë në një rrugëdalje apo përparim, por do të ketë të domosdoshme ndjekjen hap pas hapi, duke ruajtur presionin ndaj Sirisë dhe Rusisë, duke vazhduar nxitjen e tij për autorizimin e Kongresit mbi një sulm ushtarak, shtoi më tej Obama.

Në një reagim të dukshëm ndaj disa ligjvënësve, të cilët kanë vënë në diskutim interesat amerikane rreth një sulmi ushtarak të mundshëm, Obama tha se armët kimike të Sirisë “përbëjnë një kërcënim të rëndësishëm ndaj të gjithë kombeve, por edhe Shteteve të Bashkuara në veçanti”.

“Është pikërisht ky shkak, që 98% e njerëzimit ka vendosur që të mos i përdorim këto armë. Ky vendim mbron ushtarët tanë, mbron fëmijë si ata që kemi parë në videot e shpërndara nga ngjarjet në Siri”, shtoi presidenti, duke iu referuar pamjeve filmike që tregonin njerëzit duke u përpëlitur shumë pranë vdekjes.

Obama, i vendosur për presionin

Obama do të mbajë një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë mbrëmjen e së martës, si pjesë e shtysës së administratës për të fituar mbështetje për veprime ushtarake në Siri.

Intervista e tij për CNN ishte një nga 6 intervistat televizive të së hënës, teksa përpiqet të ndikojë në publik në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Nëse do të mund të përmbushim këtë objektiv të limituar pa përdorimin e forcës, atëherë kjo do të ishte preferenca ime, – tha Obama. – Në anën tjetër, nëse nuk ia arrijmë dhe vazhdojmë përpara pa një kërcënim të besueshëm të presioneve ushtarake, atëherë mendoj se nuk do të kemi mundësi të marrim oferta për marrëveshje, si ato që unë do të doja të shikoja”.

Obama pranon se një marrëveshje mbi bazën e propozimit rus nuk do të zgjidhë luftën civile në Siri, “por do të zgjidhë problemin, tek i cili po përpiqem të fokusohem për momentin, që ka të bëjë me mospasjen e mbi 400 fëmijëve të helmuar nga gazi pa dallim, pikërisht prej armëve kimike”.

“Al-Assad-it i mungojnë aftësitë”

Obama kërkoi gjithashtu të ulë ndjeshëm spektrin e kërcënimeve nga presidenti sirian, Bashar al-Assad, përkundrejt Shteteve të Bashkuara, duke thënë se “presim çdo lloj veprimi” hakmarrës ndaj sulmeve ushtarake në Siri.

“Assad nuk ka shumë aftësi. Ai mburret me aftësitë për të sulmuar fëmijë, për të sulmuar një opozitë që ende nuk është organizuar dhe nuk ka luftëtarë të trajnuar profesionalisht, – tha Obama. – Ai nuk ka një mjet të besueshëm për të kërcënuar SHBA-të”, e megjithatë hodhi poshtë zërat që thonë se ato nuk janë gjë tjetër veçse “kërcënime si ato, me të cilat përballemi kudo në botë”.

Në prag të përvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Obama tha se kjo datë sjell përforcime të ashpra të sigurisë, por paralajmëroi se “nuk do të mundemi të mbrohemi 100% në çdo kohë, kundër çdo kërcënimi”, dhe se e rëndësishme është të jesh i përgatitur pa mbingarkesa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA