
Qeveria e Kosovës zbardh detajet e marrëveshjes për telekomunikacionin dhe energjinë. Sipas njoftimit bëhet e qartë se çështja e kodit ka siguruar predispozitat dhe garancitë për sigurimin e kodit shtetëror të telefonisë.
Siç parasheh marrëveshja brenda afatit 3-mujor palët, me mbikëqyrjen dhe lehtësimin e BE-së, duhet të gjejnë modalitet për paraqitjen e kërkesës së Kosovës për ndarjen e prefiksit treshifror + 383 ose + 384.
Këto predispozita dhe garanci do ofrohen dhe mbikëqyren nga vetë Bashkimi Europian i cili do e përkrahë kërkesën e Kosovës për sigurim të kodit shtetëror konform parimeve dhe procedurave të ITU-së.
Sipas marrëveshjes Autoriteti Rregullator pritet të filloj me shqyrtimin e kërkesës për lejimin e përkohshëm të operimit të kufizuar të një operatori në pjesën veriore të Kosovës, deri në organizimin e tenderit ndërkombëtar për hapje të brezeve frekuencore konform ligjeve.
Përfundimisht, kjo nënkupton vendosjen e ligjshmërisë dhe rregullimit edhe në këtë pjesë dhe në praktikë kjo nënkupton se operatorët tjerë serbë duhet të ndërpresim operimet dhe ofrimin e shërbimeve të paautorizuara.
Njoftimi sqaron se ky lejim i përkohshëm në asnjë rrethanë nuk duhet të interpretohet si licencë e rregullt dhe përfundimisht e eliminon kuptimin apo mundësimin e interpretimit e të qenurit si; Operator i Tretë i telefonisë mobile.
Ndërkohë Marrëveshja për Energjinë thotë se operatori i transmetimit të Serbisë është zotuar që do ta njohë ndërkombëtarisht KOSTT-in si operator i vetëm i në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë njohje do ta materializojë duke nënshkruar Marrëveshje përkatëse sipas standardeve të Asosiacionit të Operatorëve të Transmetimit, Sistemit dhe Tregut për energji elektrike në Europë.
Sipas njoftimit, nga kjo marrëveshje thuhet se priten këto përfitime përfitime materiale: Kosova, respektivisht KOSTT-i mund të arkëtojë të ardhura nga energjia për vende të treta meqë me firmosjen e marrëveshjes KOSTT-i bëhet pjesë e mekanizmit për kooperim ndërmjet operatorëve në nivel europian.
Po ashtu KOSTT-i mund të arkëtojë fitime nga ndarja e kapaciteteve të transmisionit në linjat e interkonjeksionit me vendet fqinjë në rastet e kongjestioneve. Të dhënat paraprake që janë vlerësuar në mënyrë të përafërt tregojnë se këto të hyra mund të arrijnë vlerën deri 1,500,000 euro në vit.
Gjithashtu palët janë zotuar që mbi bazën e parimeve dhe praktikave të mekanizmave të zbatuara në të kaluarën të gjejnë zgjidhje për kërkesat e dyanshme për tranzit dhe ndarja e kapaciteteve të transmisionit në linjat e interkonjeksionit. Në të kundërtën, nëse nuk mund të gjejnë marrëveshje të kënaqshme për të dy palët, atëherë arbitrazhi ndërkombëtar do të vihet në veprim.
Top Channel