“Jo pre e taktikave bllokuese”

10/09/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara presin detaje nga Rusia mbi propozimin për dorëzimin e arsenalit të armëve kimike të Sirisë, por paralajmëroi se nuk do të lejohen “vonesa apo shmangie”.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri duke folur në seancën e Komisionit të Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, paralajmëroi se plani duhet të jetë “i shpejtë dhe i verifikueshëm” duke pohuar se zbatimi i tij do të jetë “jashtëzakonisht i vështirë”.

“Jua kam bërë të qartë. Kam patur disa bisedime me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov se ky nuk mund të jetë një proces vonese apo shmangjeje, duhet të jetë i vërtetë, i matshëm, konkret… dhe për ta ditur të gjithë, është shumë e vështirë që këto kushte të përmbushen…. Ne duhet t’i tregojmë Sirisë, Rusisë dhe botës se nuk do të biem pre e taktikave bllokuese”, deklaroi sekretari Kerri.

Kerri i kërkoi Kongresit t’i qendrojë në krah presidentit amerikan duke thënë se presidenti nuk do të kërkojë një deklaratë lufte, por të dëshmojë se për SHBA është e vërtetë ajo që thotë.

Deri tani ka patur pak detaje për planin e Rusisë, por Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha më herët në Moskë se po “përgatit propozimin konkret, që do t’u paraqitet të gjitha palëve të interesuara, përfshirë edhe SHBA, një plan i zbatueshëm, specifik dhe konkret”.

Siria e pranoi planin e Rusisë për të vendosur armë kimike nën kontrollin ndërkombëtar. Lavrov tha se nisma nuk ishte tërësisht e Rusise, doli pas kontakteve që ne patëm me amerikanët.

Zëdhënësi i presidentit rus shpjegoi se “Putin dhe Obama e diskutuan këtë ide gjatë takimit të tyre në Shën Pjetërburg në samitin e G20-ës javën e kaluar.”

SHBA, Britania e Madhe dhe Franca do t’i paraqesin një rezolutë Këshillit të Sigurimit. Më herët, autoritetet franceze shpjeguan se dokumenti do të jetë i fortë dhe do të bëjë thirrje për kontrollin dhe shkatërrimin e armëve kimike.

Uashingtoni akuzon qeverinë siriane për përdorimin e armëve kimike më 21 gusht, në përiferi të Damaskut, ku humbën jetën 1429 persona. Për regjimin sirian, autorë të sulmit janë kryengritësit.

Konflikti në Siri, që vazhdon prej më shumë se 2 vjetësh, numëron mbi 100 mijë viktima.

Top Channel