Irani mbështet propozimin e Moskës

10/09/2013 00:00

Irani mbështet propozimin e Rusisë për të punuar me Damaskun, për të
vendosur arsenalin e armëve kimike nën kontrollin e komunitetit
ndërkombëtar.

Deklarata është bërë nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Teheran, e cila ka vlerësuar propozimin për dhënien fund të krizës siriane pa ndërhyrje ushtarake.

“Duam që rajoni ynë të çlirohet nga prania e armëve të shkatërrimit në masë. Këto përpjekje duhet të përfshijnë edhe armët kimike në duart e rebelëve sirianë”, ka deklaruar zëdhënësja.

Irani konsiderohet si vendi që do të dalë më i fituar nëse në Siri nuk realizohet një ndërhyrje ushtarake nga Perëndimi, që për momentin mbështetet nga Amerika, Britania dhe Franca.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha të hënën pas takimit me ministrin e Jashtëm sirian, Valid Muallem, në Moskë, se ai shpreson për një përgjigje të shpejtë nga Damasku.

“Nuk e dimë nëse Siria bie dakort, por nëse armët kimike të këtij vendi vendosen nën kontrollin ndërkombëtar, mënjanohet goditja ushtarake. Pastaj, ne menjëherë nisim punën për këtë me Damaskun. Gjithashtu, i bëjmë thirrje udhëheqjes siriane, jo vetëm t’i vendosë nën kontroll armët, por më pas edhe t’i shkatërrojë”, theksoi Lavrov.

Pas propozimit në fjalë, shefi i diplomacisë ruse bisedoi në telefon me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, por zyrtarët amerikanë duken të kujdesshëm për këtë plan.

Zëdhënësi i Shtëpise së Bardhë, Jay Carney tha se SHBA-të do të studiojnë propozimin, por ruajnë ende skepticizmin për besueshmërinë e regjimit të Assad.

Rusia ka qenë aleatja kryesore në arenën ndërkombëtare për regjimin e Assad-it gjatë dy viteve të konfliktit. Në Këshillin e Sigurimit ka bllokuar tre rezoluta kundër Sirisë dhe ka rrëzuar faktet që lidhin ushtrinë e Assad-it me sulmin me armë kimike në Damask.

Shtetet e Bashkuara akuzojnë Damaskun për përdorimin e armëve kimike më 21 gusht, në periferi të kryeqytetit, ku humbën jetën 1429 persona. Për regjimin sirian, sulmi mban autorësinë e kryengritësve që luftojnë për ta rrëzuar atë.

Top Channel