Guatemalë, mbi 40 të vdekur në aksident

10/09/2013 00:00

Të paktën 43 persona janë vrarë pasi një autobus ra në 200 metra humnerë në perëndim të Guatemalës. Ngjarja ndodhi në lokalitetin San Martin Hilotepekue, rreth 65 km nga kryeqyteti Guatemala Siti.

Të paktën 40 persona të tjerë mendohet të jenë plagosur nga aksidenti, shkaqet e të cilit mbeten të paqarta.

Mario Cruz, zëdhënës i departamentit të zjarrfikësve, deklaroi se rreth 90 persona ndodheshin në bordin e mjetit, që zyrtarisht ka pasur kapacitete vetëm për 54 pasagjerë. Mes të vdekurve janë të paktën tre fëmijë, shtoi ai.

Ndërsa kryetari i bashkisë së lokalitetit ku ndodhi ngjarja, Otto Vielman deklaroi se autobusi ishte përplasur me një mur gurësh dhe më pas kishte rënë nga një shkëmb.

Operacionet e shpëtimit u penguan nga rrjedha e fortë e lumit dhe ekipet e emergjencës instaluan kabllo për të transportuar barrelat mbi ujë. Edhe një skavator u përdor gjithashtu për të transportuar pasagjerët në anën tjetër të lumit.

Banorët e zonës dolën vullnetarë për të ndihmuar operacionet e shpëtimit dhe fotot nga vendi i ngjarjes treguan disa banorë të tjerë në lotë teksa trupat e pajetë nxirreshin nga autobusi.

Një banor i lokalitetit, Carlos Jose Perez deklaroi se shumë nga personat që ndodheshin në autobus kishin me vete produkte ushqimore që do t’i nxirrnin në treg.

“Njerëzit po mbajnë zi”, ka thënë Perez. Ndërkohë, shumë nga të plagosurit janë transferuar në spitalet lokale, ndërsa ata në gjendje më të rëndë në Guatemala Siti.

Top Channel