Franca do të prezantojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një rezolutë, nëpërmjet të cilës do të kërkohet që stoku i armëve kimike të Sirisë të vendoset nën kontrollin ndërkombëtar e më pas të shkatërrohen.
Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm, Laurent Fabius, gjatë së martës.
Vendimi i Parisit për të paraqitur këtë propozim vjen pasi Rusia paraqiti këtë ide, të pranuar prej Sirisë dhe të vlerësuar si e denjë për “t’u marrë në konsideratë” nga SHBA, si një mënyrë për të shmangur ndërhyrjen ushtarake mbi regjimin e al-Assad.
Fabius theksoi se rezoluta do të parashikojë pasoja tepër të rënda për Damaskun, nëse do të shkelen klauzolat e saj.
Ministri i Jashtëm përcaktoi se rezoluta do të përmbajë pesë pika kryesore, e do të bazohet mbi kërkesën që Siria të zbardhë plotësisht programin e tij të armëve kimike.
Nëpërmjet të drejtës së vetos, Rusia ka bllokuar më parë disa projekt-rezoluta të propozuara nga Franca në Këshillin e Sigurimit, për vendosjen e sanksioneve të ndryshme mbi Sirinë.
Top Channel