Manjati i Porsche tërhiqet nga projekti i “tunelit për një person” në Salzburg, vila nxirret në shitje pas protestave dhe debatit për pabarazinë sociale
Përplasja mes trupave ushtarake filipinase dhe rebelëve myslimanë në
Filipine ka hyrë në ditën e dytë, me civilë të shumtë që mbahen peng nga
guerrilasit.
Të paktën gjashtë persona mbetën të vrarë në dhunën e së hënës në qytetin Zamboanga, në Mindanao, në jug të vendit. Përleshjet filluan kur një fraksion i lëvizjes Fronti për Çlirimin Kombëtar hyri në qytet në orët e para të së hënës.
Të shtëna armësh zjarri janë dëgjuar në Zamboanga edhe mëngjesin e së martës, me banorët që kanë braktisur zonat e përfshira nga trazirat.
Anëtarët e lëvizjes rebele donin të ngrinin flamurin e tyre në bashkinë e qytetit, sqaruan burime ushtarake. Për momentin nuk dihet me saktësi se sa persona kanë mbetur të bllokuar nga konflikti apo mbahen peng nga rebelët.
Një zëdhënës i këtyre të fundit deklaroi për gazetën “Philippine Daily Inquirer” se grupi mban 35 pengje. “Ne i rrëmbyem ata nëpër rrugë, në mënyrë që ushtria të mos na qëllonte kur të na shihte”, tha zëdhënësi.
Por kryetarja e bashkisë në Zamboanga, Isabelle Climaco Salazar deklaroi për transmetuesin ABC-CBN ditën e martë se rreth 170 civilë mbahen aktualisht peng.
Ndërkohë, policia lokale deklaron në një komunikatë se vlerësimi i mëparshëm se 300 pengje mbaheshin nga rebelët u referohej banorëve që ndodheshin në zonat e prekura nga luftimet.
Të paktën pesë civilë u liruan mëngjesin e së martës pas një serie të gjatë negociatash, deklaroi policia në komunikatë.
Top Channel