BE, juristët kundër taksës së “Robin Hood”

10/09/2013 15:35

Vendosja e një takse mbi transaksionet financiare në disa prej vendeve të Bashkimit Europian do të ishte e paligjshme, argumentoi të hënën Shoqata e Avokatëve Europianë.

Taksa e miratuar më parë për 11 vende të BE-së ka si synim që të dekurajojë manovrat e rrezikshme, duke tatuar shitblerjen e aksioneve, obligacioneve dhe aseteve të tjera financiare.

Megjithatë, në një raport prej 14 faqesh, avokatët arritën në përfundimin se kjo taksë tejkalon fuqitë e Brukselit, pasi i imponohet të drejtës kombëtare të sovranitetit mbi taksat.

Gjithashtu, juristët argumentuan se këto masa janë të papërputhshme me Traktatin e Europës.

E mbiquajtur si taksa e “Robin Hood”, ky tatim pritet të hyjë së shpejti në përdorim në 11 vende anëtare, që kanë ratifikuar marrëveshjen.

Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Belgjika, Austria, Portugalia, Greqia, Sllovenia, Sllovakia dhe Estonia janë vendet që kanë pranuar propozimin.

Ndonëse opinioni i juristëve nuk përbën një masë detyruese, kundërshtimi i tyre kërcënon mundësinë e zbatimit të kësaj takse në të vërtetë, nëse ngrihet një padi nga palët e propozuara në gjykatë.

Top Channel