Qeveria në Bangladesh ka deklaruar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër Muhammad Yunus, i vlerësuar me çmimin Nobel, në lidhje me parregullsitë me taksat.
Akuzat datojnë për periudhën kur Yunus ka qenë drejtori i menaxhimit të organizatës mikro-financiare, “Grameen Bank”.
Banka Qendrore e Bangladeshit e shkarkoi ekonomistin 73-vjeçar nga detyra e tij 2 vjet më parë, duke thënë se kishte kaluar moshën e daljes në pension. Yunus mohon akuzat.
Mbështetësit e tij kanë thënë se akuzat, ashtu si dhe largimi i tij nga “Grameen Bank”, janë të motivuara politikisht.
Pjesa më e madhe e akuzave ndaj Yunus lidhen me të ardhurat e tij jashtë vendit, përfshi çmimet vlerësuese dhe honoraret nga librat e tij.
Qeveria thotë se këto fitime janë marrë pa lejen e nevojshme, teksa ka qenë kreu i një institucioni pjesërisht të zotëruar nga shteti.
Sekretari i kabinetit qeveritar në Bangladesh, Musharraf Hossain Bhuiyan, tha për reporterët se kabineti ka vendosur të veprojë, pas një raportimi nga autoritetet fiskale të vendit, “Bordi Kombëtar i Të ardhurave”.
Yunus ka sfiduar të gjitha akuzat ndaj tij. Në një deklaratë, pioneri i mikrokredive tha se ai ka deklaruar gjithnjë të ardhurat e tij dhe ka respektuar ligjin gjatë kohës që ka qenë i përjashtuar nga taksat.
Muhammad Yunus ka investuar edhe në Shqipëri, teksa “Yunus Social Business Albania” është një biznes social, misioni i të cilit është adresimi i nevojës sociale apo mjedisore në një mënyrë të qëndrueshme nga aspekti financiar. Fitimet riinvestohen në po të njëjtin biznes, apo në një tjetër biznes social.
Top Channel