SHBA, policia vret 107-vjeçarin

09/09/2013 00:00

Një burrë 107-vjeçar është vrarë nga policia amerikane pas një shkëmbimi zjarri në Arkansas.

Monroe Isadore kishte marrë peng dy persona dhe pasi oficerët e policisë liruan pengjet, u munduan të arrestonin të moshuarin, i cili ishte mbyllur në dhomën e gjumit.

Por, pasi shpërthyen derën, 107-vjeçari qëlloi me armë në drejtim të policëve, të cilët iu kundërpërgjigjën menjëherë duke e vrarë në vend.

Kinë, shpërthim para shkollës fillore

Një shpërthim përpara një shkolle fillore në provincën Guangxi të Kinës i ka marrë jetën dy personave e ka plagosur disa të tjerë. Të paktën 10 nga 17 të lënduarit ishin fëmijë.

Dëshmitarë okularë rrëfejnë se pak përpara ngjarjes së rëndë, një tricikël kishte ndaluar pranë shkollës. Në fillim, ai kishte marrë flakë e më pas ka shpërthyer.

Zhurma e shpërthimit ka qenë e fortë e është dëgjuar në një distancë të konsiderueshme. Shkolla u mbyll menjëherë pas ngjarjes që po hetohet nga policia.

Në vitet e fundit, në shkollat fillore të Kinës ka pasur një serë sulmesh, kryesisht me thikë, e për pasojë një pjesë e mirë e tyre i kanë forcuar ndjeshëm masat e sigurisë.

Bangkok, aksidentohet avioni i “Thay Airways”

Një avion i “Thay Airways” doli nga pista gjatë uljes në aeroportin ndërkombëtar të Bangkokut, një episod që përfundoi me 14 të plagosur.

Airbus-i A330-300 ishte nisur nga provinca Guanzhou e Kinës. Në momentin e zbritjes në aeroportin Suvarnabumi, rrotat e uljes nuk kanë funksionuar, çka është bërë shkas për incidentin.

Pasagjerët u evakuuan me shpejtësi nëpërmjet rrëshqitësve të emergjencës. Hetimi pritet të zbardhë shkaqet e ngjarjes, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe pretendimet për shkëndija zjarri në afërsi të motorit. 

Top Channel