Serbia kërkon që të shtyhet afati i regjistrimit të votuesve në zgjedhjet lokale të Kosovës që do të mbahen më tre nëntorin e ardhshëm.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka takuar ambasadorët e SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, me të cilët ka vlerësuar se marrëveshjet e fundit do të ndihmojnë në stabilizimin dhe normalizimin e jetës së qytetarëve në Kosovë.

Takimi ka qenë me dyer të mbyllura dhe qeveria e Serbisë ka njoftuar vetëm se, ka mjaft punë për t’u bërë lidhur me organizimin e zgjedhjeve, por secila palë, sipas saj, duhet të respektojë marrëveshjen e Brukselit.

OSBE është duke regjistruar edhe votuesit serbë që janë të shpërngulur dhe kanë të drejtë vote. Sipas Daçiç, bisedimet me Kosovën do të vazhdojnë pas zgjedhjeve lokale. Mediat serbe kanë vlerësuar se takimet e fundit nuk kanë qenë shumë transparente.

Më herët gjatë muajit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë refuzoi kërkesën e OSBE-së për mbledhjen e aplikacioneve të votimit për serbët e zhvendosur në Serbi që nga pas lufta.

Anëtarët e KQZ-së e vlerësuan këtë kërkesë si të papranueshme, pasi është në kundërshtim të plotë me ligjin e Kosovës. Sipas tyre, votuesit jashtë vendit, qofshin ata edhe serbë të zhvendosur, në mungesë të funksionimit të shërbimeve postare duhet t’i dërgojnë aplikacionet në mënyrë individuale, me faks apo nëpërmjet adresës elektronike.

Në shkresën e OSBE-së drejtuar KQZ-së propozohej që misioni të pranonte aplikacione dhe pako të kthyera të fletëvotimeve nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës dhe të shënonte datën e pranimit në formën e aplikacionit, gjithashtu edhe datën e pranimit të pakove të kthyera të fletëvotimeve.

Top Channel