Putin fiton zgjedhjet lokale

09/09/2013 15:45

Aleati i Vladimir Putin, Sergei Sobyanin është fituesi i zgjedhjeve lokale në Moskë me 51.3% të votave, duke kapërcyer me shumë pak pragun e 50 përqindëshit të nevojshëm për shmangien e balotazhit.

Rivali i tij kryesor, lideri i opozitës Alexei Navalny, sipas zyrtarëve, siguroi 27.2%. Por 37-vjeçari kërkon rinumërim të votave dhe ka refuzuar ta njohë rezultatin me pretendimin se është falsifikuar.

“Unë kam marrë mjaftueshëm vota sa për të shkuar në një raund të dytë votimesh, por procesi i numërimit ka pasur shkelje flagrante. Nëse rinumërimi refuzohet, do t’u drejtoj qytetarëve një apel ku t’i kërkoj të dalin në rrugët e Moskës”, ka deklaruar Navalni.

Sobyanin, kryetari aktual i bashkisë, gëzon mbështetjen e Kremlinit dhe fitorja e tij në këto zgjedhje ishte e pritshme. Ish-shefi i personelit të Putin u tha simpatizantëve të mbledhur për të festuar triumfin e tij, se zgjedhjet kishin qenë transparente.

“Ne kemi se me çfarë të krenohemi. Kemi organizuar zgjedhjet më të hapura e të ndershme në historinë e Moskës”, ka thënë Sobyanin.

Pavarësisht fitores së Sobyanin, aktivisti anti-korrupsion Alexei Navalny arriti ta kthente garën në atë që po cilësohet si votimi i parë vërtet konkurrues në Rusi që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.

Anketat kishin profetizuar se kundërshtari i tij do të siguronte lehtësisht shumicën e votave dhe se Navalny do të merrte rreth 20 për qind të tyre.

Aktivisti që vuri në vështirësi Kremlinin

Ndonjëherë, edhe pse humbës i zgjedhjeve, të paktën në letra, një kandidat mund të jetë sërish fitues i tyre. Vetëm 2 muaj më parë, Alexei Navalni ishte i mbyllur në burg, një i dënuar për shkelje por që pretendonte persekutimin politik, i cili u lirua me kusht e është në pritje të apelit.

Më pak se 10 % të votave ishin parashikimet për të në fillesat e fushatës. Por 37-vjeçari e dinte mirë se një pjesë e Moskës kërkon një lloj të ri politike e për këtë arsye vendosi të dilte vetë në rrugë për të takuar votuesit, gjë që moskovitët nuk e kishin parë prej vitesh.

I përjashtuar nga televizioni shtetëror, vegël e pushtetit, Navalni luftoi përmes internetit dhe forcës së bindjes. Edhe pse kandidati i Putin e mposhti në këto zgjedhje, rezultati i tyre ishte shumë më pak i rehatshem nga sa priste Kremlini dhe me të gjitha gjasat do ta detyrojë presidentin të rishikojë strategjitë e tij.

Ky, thotë BBC, është vetëm fillimi i karrierës së Alexei Navalni si politikan konvencional, gjithmonë nëse nuk ia presin hovin duke e kthyer sërish në burg.

Top Channel