Mbrëmja e së dielës në Bruksel, përkatësisht takimi i kryeministrit Hashim Thaçi me homologun e tij serb Ivica Daçiç, ka qenë vendimtar përsa i përket marrëveshjes për telekomin dhe energjinë.

Dy kryeministrat janë pajtuar për këtë çështje dhe sipas qeverisë kosovare, Kosova do të ketë kodin e vetë telefonik, operatorët ilegalë nuk do të jenë më funksionalë në të dyja fushat, ndërsa sa i përket energjisë, autoriteti i transmisionit Kosst nuk do të ketë pengesa në anëtarësim në organizata.

“Një aspekt shumë i rëndësishëm që ne të gjithë kemi qenë të brengosur është se këto marrëveshje i japin fund operatorëve ilegalë në të dyja fushat, telekom dhe energji. Në fushën e telekomit çështja e parë kryesore, Kosova do të ketë kodin e saj telefonik ndërkombëtar, që do t’ia japë ITU, me ndihmën e BE-së. Ky është një formim i shtetit të Kosovës, sepse Kosova do të ketë identitetin e saj shtetëror me këtë kod, që pritet të realizohet në janar të vitit 2015”, ka thënë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

Sipas zonjës Tahiri, Kosova pritet të marrë kodin 383 ose 384. Zëvendëskryeministrja kosovare mohoi deklaratën e kryeministrit serb se thirrjet mes dy shteteve do të jenë lokale. Ajo tha se thirrjet mes dy shteteve janë thirrje ndërkombëtare.

“Mbase mund të ketë menduar për marrëveshje roaming. Ne kemi ftuar Autoritetin Rregullator që të inkurajojë operatorët e telefonisë së lëvizshme. Përndryshe, marrja e kodit shtetëror me rregulla të ITU-së janë thirrje ndërkombëtare”, deklaroi Tahiri.

Top Channel