Emisioni “Shqip” u rikthye në vitin e tij të 12 në ekranin e Top Channel, që këtë herë përkoi me ditën e nisjes së ndryshimeve të mëdha politike në vend, mbledhjes së parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe miratimit të qeverisë Rama brenda pak ditësh.

Kur kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga zgjedhjet dhe pas pushimeve, “Shqip” me Rudina Xhungën dhe të ftuarit sollën një analizë më të ftohtë të rezultatit të dalë. Të ftuar në panel ishin analistët Blendi Kajsiu, Henri Çili dhe Lutfi Dervishi.

Në nisje të fjalës së tij, Henri Çili tha se ndryshimet politike përbëjnë fundin e një epoke reformash, që zgjedhësit shqiptarë rrëzuan modelin e zgjedhur për të zbatuar ato.

“Mendoj që është fundi i një epoke, një fazë e caktuar e tranzicionit shqiptar që lidhet me një gamë njerëzish dhe reformash që e karakterizuan në këtë pjesë dhe momenti i ri i shoqërisë shqiptare, përpjekja për t’u futur në dekadën e re. Më 23 qershor u krijua një shumicë kundër reformave në Shqipëri, që nuk donte të shkonte më në një konflikt të caktuar, një shumicë që nuk përtypte dot funksionimin e shumë gjërave në Shqipëri. Unë ndjej keqardhje sepse ishte një cikël reformash që duhej çuar më tej”, tha Çili.

Ndërsa për analistin Blendi Kajsiu vota e 23 qershorit ishte votë inati dhe proteste. Sipas tij, këto zgjedhje u përcaktuan nga dy elementë kryesorë, rënia e madhe e PD-së dhe ngritja e madhe e LSI-së. “Ka qenë një votë interesi për LSI-në dhe votë inati kundër PD-së”, tha Kajsiu.

Edhe për analistin tjetër, Lutfi Dervishi bëhet fjalë për fundin e një etape. Ai u ndal edhe tek analiza e zgjedhjeve.

“Analiza e zgjedhjeve nuk është bërë as nga vetë PD, por besoj që janë një sërë faktorësh që lidhen me faktin që 8 vjet pushtet e konsumuan këtë forcë. Sa për pragmatizmin nuk e bëri populli, por e bëri PD duke marrë 3 deputetë të majtë për të ruajtur qeverinë. Në këtë 8 vitesh, PD ka patur një mandat të mirë mandatin e parë, ndërsa në mandatin e dytë u ulen standardet e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, filloi nuk u kujdes më për cilësinë e reformave PD”, tha Dervishi.

Duke u ndalur tek figura e ish-kryeministrit Berisha, analisti Blendi Kajsiu vëren re dicka, sipas tij, kontraverse.

“Berisha ishte politikisht kryeministër i fortë, por ishte një kryeministër i dobët nga ana administrative, sidomos në mandatin e fundit. Si pasojë e klientelizmit politik, administrata u politizua më tepër. Berisha ngriti një sistem politiko-administrativ që e paralizoi, sidomos gjatë qeverisjes me LSI-në”, tha ai.

Lidhur me pritshmëritë për qeverinë e re, Lutfi Dervishi renditi dy sinjale, që sipas tij janë pozitive.

“Kjo është qeveria e parë që nga 1991 që ka në përbërje vetëm 2 parti politike. Nëse LSI do të sillet sic u soll në 4 vitet e shkuara, sigurisht që problemet do të jenë shumë të shpejta, nëse do të sillet ndryshe… Disa shenja janë të mira si heqja dorë nga parcelizimi i ekzekutivit dhe elementi i dytë është ndarja e ekzekutivit nga legjislativi. Në këtë pikë Rama më ngjan me Berishën, një kryeministër i fortë. Pa i hyrë premtimeve, që kanë qenë të ekzagjeruara, cështja është tek disa sfida të thjeshta sic janë shteti ligjor dhe thyerjes së kulturës të mosndëshkimit”, tha zoti Dervishi.

Por Kajsiu u ndal tek modeli i zgjedhur, që sipas tij ka një kontradiktë themelore: “Modeli i zhvillimit ka një kontradiktë themelore. Kemi patur modelin të reduktojmë shtetin dhe të zgjerojmë tregun e lirë, ndërkohë që kishim edhe procesin e integrimit që ishte krejt ndryshe me shtetin neo-liberal. Shteti i integrimit duhet të ishte një supershtet sepse duhet të bënte transformimin e shoqërisë. Hendeku i madh mes ligjit në letër dhe në zbatim u krijua sepse ne morën  ligjet copy-paste, morëm ligjet europiane t’i përshtasim me shoqërinë shqiptare”.

Top Channel