Si rrallë ndonjë seancë parlamentare, kjo që çeli edhe legjislaturën e 8 të Kuvendit ishte më korrektja në oraret e mbërritjes së deputetëve.

Të ndjekur dhe nga sytë kuriozë të qytetarëve të mbledhur përpara selisë së parlamentit, deputetët që rihyjnë, apo të tjerë që ulen për herë të parë në sallën e Kuvendit, duke respektuar në shoqërim pothuajse përkatësitë politike, kanë mbërritur përpara orës 18, kur edhe ishte njoftuar seanca.

Kurioziteti i qytetarëve dhe i medias u përqendrua te njeriu, që pritet të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme, Edi Rama. Megjithëse prej shumë vjetësh drejtues i opozitës, për të është hera e parë, që hyn si deputet në sallën e parlamentit.

Teksa Edi Rama hynte në parlament, emri i tij ishte çuar te Presidenti i Republikës, pak përpara fillimit të seancës, si propozim i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për emërimin e tij si kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Himni ka çelur edhe seancën që, siç ishte vendosur, u drejtua nga deputeti socialist, Namik Dokle, nën prezencën e Presidentit të Republikës Bujar Nishani, të gjithë ambasadorëve të Bashkimit Europian, SHBA-ve dhe të gjitha vendeve, me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike, përfaqësuesve të komunitetit fetar, drejtues institucionesh e stafesh politike të mazhorancës së re.

Mes tyre ra në sy prezenca e disa prej familjarëve të viktimave të 21 janarit.

Kjo seancë mori vëmendjen e jetës politike dhe publike në vend, për shkak të ndërrimit të pushteteve, ishte e tillë edhe sepse dy rivalët politikë të viteve të fundit, Sali Berisha dhe Edi Rama, takohen këtë herë në parlament si deputetë, i pari kryeministër i dorëhequr, i dyti i propozuar.

Ndërsa nuk pranoi të drejtojë seancën, si deputeti më i vjetër, Berisha është ulur në vendin e deputetit dhe, megjithëse në krah të Jozefina Topallit, ai ka mbetur besnik i IPad-it, pavarësisht risisë së kësaj seance, ku deputetëve u është vendosur nga një kompjuter mbi tavolinë.

Por, kjo seancë pati edhe një tjetër risi, të paktën të tillë e nënvizoi drejtuesi i saj, zoti Namik Dokle.

“Kjo legjislaturë është nga të rrallat e Kuvendit të Shqipërisë që nis pa bojkot, dhe kjo falë forcave politike që përfaqësohen këtu, por para së gjithash e mbi të gjitha falë popullit shqiptar, që si një sfinks i heshtur, i mençur dhe i përmbajtur, larg zhurmave dhe tam-tam-eve fushateske, vendosi me votën e tij të ndryshojë mënyrën dhe ritmin e udhëtimit të Shqipërisë drejt Europës së Bashkuar”, u shpreh Namik Dokle.

Megjithatë, zoti Dokle u bëri apel të dyja palëve, mazhorancës së re dhe opozitës, për bashkëpunim, që do të mundësonte – sipas tij – përmbushjen e sfidave të vendit. Ndërsa për të zgjedhurit më të rinj në Kuvendin e Shqipërisë, si një ndër deputetët më të vjetër, me eksperiencë e karrierë të gjatë parlamentare, Namik Dokle i lejoi vetes t’u japë një këshillë, që secili prej tyre duhet ta mbajë sa më gjatë në kujtesë.

“Ju që hyni këtu, lërini jashtë tempullit mendjemadhësinë, interesin meskin, mosmirënjohjen ndaj njerëzve të thjeshtë. Merrni me vete çdo gjë të mirë të popullit që ju votoi, e mbi të gjitha dashurinë për Shqipërinë tonë. Ju falemnderit!”, përmbylli fjalën e tij Dokle.

Më pas, deputeti i PS ka lexuar emrat e të gjithë të zgjedhurve, si dhe në bazë të rregullores ka zgjedhur deputetët që do të drejtojnë përkohësisht sekretariatin e Kuvendit. Duke qenë se kjo detyrë u takon tre deputetëve më të rinj, ata janë: Ylli Shehu, Klajda Gjosha dhe Olta Xhaçka.

Më pas, drejtuesi i seancës ka lajmëruar ngritjen e Komisionit të përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, anëtarët e të cilit janë zgjedhur nga krerët e grupeve parlamentare.

Kështu, Gramoz Ruçi nga PS emëroi: Armando Subashi, Vexhi Muçmata, Ermonela Felaj dhe Besnik Bare; Edi Paloka nga PD: Fatjona Ademi, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani dhe Gerti Bogdani; Petrit Vasili nga LSI: Vangjel Tavon.

Pas kësaj zoti Dokle ka mbyllur seancën përuruese të legjislaturës së re, duke njoftuar vazhdimin e saj ditën e martë në orën 11:00. Në këtë seancë, Komisioni për Verifikimin e Mandateve do paraqesë raportin për deputetët e zgjedhur, i cili do të duhet të miratohet.

Ndërkohë, pas proçedurës së betimit të deputetëve do të jetë procedura e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, që do të jetë kryetari i LSI, Ilir Meta. Ky i fundit do të zgjedhë nënkryetarët.

“Presim parlament konstruktiv”
Ambasadorët: Shumë punë përpara, prioritet të jetë integrimi në BE

Në përfundim të seancës së parë Ambasadori amerikan në Tiranë, ai i BE-së, i Greqisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe deklaruan se presin të shohin një parlament me debate konstruktive, në shërbim të axhendës integruese të vendit.

“Kjo është një ditë për t’u festuar nga të gjithë” u shpreh Arvizu, duke i kujtuar politikës shqiptare se përpara e pret shumë punë.

“Dëshiroj t’i shpreh parlamentit të ri përgëzimet më të sinqerta në emër SHBA-ve, të 140 deputetëve të sapozgjedhur të Kuvendit të ri. Nuk e mbaj mend saktësisht, por 40% janë të rinj dhe 40% prej tyre po rikthehen. Gjithashtu, jemi shumë të kënaqur me numrin e grave, të cilat janë zgjedhur si deputete, përfshi ato që do të shërbejnë në qeveri. Kjo është një ditë për t’u festuar prej gjithë popullit shqiptar. Përpara ka shumë punë për t’u bërë. Të gjithë sytë do të nguliten te qeveria, sigurisht, por edhe te zhvillimet këtu në parlament. Presim me kënaqësi të shohim zhvillimin e debateve konstruktive, të sinqerta për axhendën europiane të vendit”, tha Aleksandër Arvizu.

“Pritshmëritë janë të njëjta, me ato që ka çdo qytetar shqiptar. Një parlament, që funksionon në mënyrë efektive, duke pasur në vëmendje perspektivën europiane, që për Shqipërinë është dhe mbetet një objektiv kombëtar. Në këtë parlament, dialogu duhet të dominojë mbi konfrontimet apo debatet e nxehta. Përfshi këtu një parlament, që duhet të shpejtojë me çështjet e integrimit. Ne dëshirojmë, për këtë, që të gjithë aktorët politikë, jo vetëm ata por edhe të gjithë shqiptarët, opinioni publik, media, të  punojnë së bashku. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme. Themi shpesh se këto janë ditë historike. Po, është një e tillë, sepse ky parlament nis nga puna me prioritete të qarta, siç është integrimi Shqipërisë në BE, gjë e cila do të bëhet realitet së shpejti”, tha Ettore Sequi.

“Palamenti duhet të vijojë rolin e tij me ligjet e reja, në mënyrë që t’i japë Shqipërisë atë që meriton”, theksoi Massimo Gaiani, ambasador i Italisë.

“Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë. Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt BE-së. Mendoj se nisja e sesionit të ri parlamentar sjell më shumë shpresë për të ardhmen. Kam vetëm shpresa të mira për vendin tuaj dhe falemnderit për mikpritjen”, u shpreh Leonidas C. Rokanas, ambasador i Greqisë.

“Do të jetë diçka me rëndësi për historinë e këtij vendi, për të arritur progres në rrugëtimin drejt marrjes së statusit të vendit kandidat”, tha Nicholas Cannon, ambasador i Britanisë së Madhe.

Top Channel