Kerry: Assad të dorëzojë armët kimike

09/09/2013 15:55

Një shtrëngim dore i përzemërt dhe garancitë se aleanca e dy shteteve vazhdon të mbetet e fuqishme, pavaresisht votës së Parlamentit britanik kundër ndërhyrjes në Siri.

Takimi i John Kerry me William Hague përcolli bindjen e përbashkët se Damasku zyrtar e meriton një përgjigje të fortë.

“Qëndrimi duarkryq në këtë situatë do të ishte më i rrezikshëm sesa kalimi në veprim. Por Bashar al Assad mund ta shmangë sulmin nëse brenda javës që vjen i dorëzon komunitetit ndërkombëtar armët e tij kimike”, ka deklaruar Kerry.

Kerry vazhdon t’i mëshojë idesë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk po kërkojnë të kontrollojnë luftën civile të Sirisë, dhe se goditja ajrore kundër regjimit sirian do ta frenojë Asad nga përdorimi i gazit helmues në të ardhmen.

Sulmi kimik i 21 gushtit megjithatë, sipas tij, përbën një shkelje të hapur të vijës së kuqe ndërkombëtare. Për sekretarin amerikan të Shtetit, mosreagimi ndaj ngjarjes së rëndë do t’i jepte Damaskut arsye për të menduar se mund të frikësojë këdo e të mos ketë asnjë pasojë.

Shefi i diplomacisë britanike e mbështeti plotësisht arsyetimin e Kerryt mbi nevojën e një reagimi të ashpër ndaj përdorimit të armëve kimike në Siri dhe tha se e përkrah mësymjen amerikane edhe pse Parlamenti britanik ka votuar kundër pjesëmarrjes në veprime ushtarake.

Top Channel