Assad: Nuk ka prova për armët kimike

09/09/2013 00:00

Presidenti sirian Bashar al-Assad është shprehur se nuk ka prova që qeveria e tij ka përdorur armë kimike.

“Nuk ka asnjë provë që unë kam përdorur armë kimike ndaj popullit tim”, theksoi Assad, i cili nuk konfirmoi, por as mohoi ekzistencën e armëve të tilla në Siri. Presidenti sirian tha vetëm se nëse këto armë ekzistonin, ishin “të kontrolluara”.

Në një intervistë për ‘PBS’, ai shtoi se aleatët e Sirisë do të kundërpërgjigjen nëse Perëndimi sulmon vendin e tij. Mes aleatëve janë Kina, Rusia apo Irani.

Shtëpia e Bardhë ka pranuar se nuk ka prova të pakontestueshme se Assad ka gisht në sulmin e 21 gushtit ku u vranë 1429 persona, por që logjika të çon në këtë përfundim.

Ndërsa Barak Obama vendosi të shohë qëndrimin e Kongresit përpara se të jepte urdhër për një ndërhyrje të kufizuar ushtarake në Siri pasi ka një bindje që mund ta marrë dritën jeshile të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke përligjur kështu një veprim, me të cilin pjesa dërrmuese e amerikanëve nuk pajtohen aspak.

Por, ekspertët nuk e përjashtojnë edhe mundësinë e një përgjigje negative, e cila mund ta dëmtonte – sipas tyre – pozitën politike të presidentit dhe prestigjin ndërkombëtar të Amerikës. Përdorimi i dyshuar i armëve kimike në lindje të kryeqytetit sirian është konsideruar në mbarë botën si një akt barbar. Shumica janë të bindur që, në qoftë se qëllohet me armë, që vrasin pa dallim njerëz në masë, ata që janë përgjegjës për përdorimin e tyre duhet të japin llogari. Veçanërisht, në qoftë se viktima të këtij krimi janë civilët e pambrojtur.

Mjaft specialistë, megjithatë, insistojne se edhe po të konsiderohet si moralisht i pranueshëm, për shkak të ashpërsisë së krimeve të kryera, duhet mbajtur parasysh se një sulm në Siri mund të ketë pasoja të padëshirueshme.

Top Channel